Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka pritur sot në takim Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, në vizitën e tij të parë në Shqipëri, si bashkorganizator i Samitit Ukrainë – Evropa Juglindore.
Në lidhje me takimin, Rama ka shkruar në rrjetet sociale se ka mikpritur për herë të parë Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, sipas tij, "liderin e rezistencës heroike".
Në një njoftim nga Kryeministria e Shqipërisë, thuhet se Rama dhe Zelenskyy nisën një takim kokë më kokë në selinë e Kryeministrisë, që vijoi me takimin mes dy delegacioneve të Shqipërisë dhe Ukrainës.
Sipas njoftimit, samiti i sotëm është "një takim solidariteti e angazhimi të mëtejshëm të demokracive të vendeve kundër agresionit rus, ku do të diskutojnë se si mund të punojnë së bashku dhe të ofrojnë mbështetjen për Ukrainën, si dhe të kontribuojnë në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit tonë dhe Evropës".
Në Tiranë do të mbahet sot Samiti Ukrainë - Evropa Juglindore me pjesëmarrjen e liderëve nga vendet e Evropës Juglindore dhe vendet e Ballkanit Perëndimor.