Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim të dërguarin e posaçëm të Republikës Federale të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ku kanë biseduar për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në vend dhe rajon.
Presidentja e Kosovës Osmani në takim ka potencuar përkushtimin e Kosovës në procesin e integrimit evropian, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e Gjermanisë.
Ajo në veçanti theksoi mbështetjen e plotë për Procesin e Berlinit dhe marrëveshjet e dala nga ky proces.
Sipas një komunikate të Presidencës, Osmani shtroi nevojën për vazhdimin e mbështetjes gjermane për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, si dhe përmbushjen e aspiratave për anëtarësim në Këshillin e Evropës, NATO, BE dhe organizata të tjera ndërkombëtare.