Lëshimi i raketave në orbitë është një biznes i shtrenjtë. Aq i kushtueshëm saqë, deri më tani, vetëm agjencitë qeveritare të hapësirës ose kompanitë e lidhura me qeverinë kanë transportuar astronautë ose satelitë në hapësirë. Megjithatë, industria private e hapësirës ka lulëzuar në dy vitet e fundit, me kompani si “Virgin Galactic” i Richard Branson, “Blue Origin” i Jeff Bezos dhe “SpaceX” i Elon Musk që ofrojnë nivele të ndryshme të udhëtimit dhe transportit në hapësirën suborbitale dhe orbitale. Sipas “Bryce Tech”, njëmbëdhjetë kompani private lëshuan 94 raketa në orbitë gjatë vitit 2022 – prej tyre 61 raketa ishin lëshuar të kompanisë “SpaceX”.
Nga ana tjetër, 71 raketa janë lançuar nga agjencitë hapësinore ose kompanitë e lidhura me Qeverinë. Më së shumti në këtë kategori ka lançuar kontraktori kryesor për programin hapësinor kinez, Korporata e Shkencës dhe e Teknologjisë Ajrore e Kinës (35 lançime), në vendin e dytë është Roscosmos, Agjencia Hapësinore e Federatës Ruse (21 lançime).
“SpaceX”, kompania hapësinore që është në pronësi të pronarit të Teslas, Elon Musk, aktualisht është duke përgatitur fluturimin e parë testues orbital të sistemit të saj Starship, i planifikuar për në mars të vitit 2023. Modeli më i fundit i raketës pritet të transportojë njerëz dhe ngarkesa midis Tokës dhe Hënës në të ardhmen dhe, sipas Musk, përfaqëson një bllok themelor ndërtimi në planin e tij për të kolonizuar Marsin. Kompania është një nga kontraktorët më të rëndësishëm të NASA-s.
Në vitin fiskal 2022, Agjencia Amerikane e Hapësirës NASA i dha kompanisë SpaceX rreth 2 miliardë dollarë nga buxheti i saj total prej 24 miliardë dollarësh. “SpaceX” mori 25% më shumë fonde sesa në vitin 2021 dhe kaloi “Boeing”-un si kontraktori i dytë më i shtrenjtë i agjencisë NASA.
Përveç “SpaceX”, Instituti i Teknologjisë në Kaliforni po ashtu përfitoi më së shumti nga buxheti i NASA-s. Kjo mund të shpjegohet me faktin se Universiteti operon objektin kërkimor të NASA-s “Jet Propulsion Lab”. Midis tetorit të vitit 2021 dhe fundit të shtatorit të vitit 2022, universiteti mori rreth 2,7 miliardë dollarë apo rreth 12% më shumë se një vit më parë.