Facebook ka njoftuar se në fillim të dhjetorit do të heqë "seksionin" e tij të lajmeve në Mbretërinë e Bashkuar, Francë dhe Gjermani dhe do të fokusohet në videot me përmbajtje të shkurtër.
Vendimi është marrë në përputhje me strategjinë e Facebookut për të fokusuar burimet në fusha me interes më të madh për përdoruesit, pretendon kompania.
Përdoruesit e vizitojnë platformën kryesisht për lidhje sociale dhe kërkime interesash, jo lajme dhe përmbajtje politike, theksojnë ata.
Sipas Facebookut, përmbajtja e lajmeve globalisht përbën më pak se tre për qind të shikimeve në platformë.
Ndryshimi nuk do të prekë produktet dhe shërbimet e tjera të Metas në Britani, Francë dhe Gjermani dhe përdoruesit do të jenë ende në gjendje të aksesojnë artikujt e lajmeve nëpërmjet linkeve të shpërndara.
Botuesit evropianë do të ruajnë aksesin në llogaritë dhe faqet e tyre në Facebook, të cilat u lejojnë atyre të postojnë linqe me përmbajtje dhe t'i drejtojnë përdoruesit në faqet e internetit.
Ata gjithashtu mund të përdorin produkte si Reels dhe sistemin e reklamave për të arritur një audiencë më të gjerë dhe për të mbajtur të gjitha të ardhurat nga lidhjet e jashtme.
Facebook do të respektojë kontratat me botuesit në Mbretërinë e Bashkuar, Francë dhe Gjermani derisa ato të skadojnë, por nuk ka në plan të nënshkruajë të reja për të publikuar lajme në Facebook News.
Ata gjithashtu theksojnë se nuk po përgatisin produkte të reja të përshtatura posaçërisht për botuesit e lajmeve, duke theksuar në të njëjtën kohë se do të vazhdojnë të lidhin përdoruesit me informacione të besueshme.
Kompania punon me "kontrollues faktesh" të pavarur, të certifikuar nga Rrjeti Ndërkombëtar i Kontrollit të Fakteve, në analizimin dhe vlerësimin e dezinformatave të mundshme virale në aplikacionet e saj, thanë ata.