Shitjet globale të makinave elektrike parashikohen të rriten në një tjetër rekord këtë vit, duke zgjeruar pjesën e tyre në tregun e përgjithshëm të makinave në afërsi të 1/5 dhe duke udhëhequr një transformim të madh të industrisë së automobilave që ka implikime për sektorin e energjisë, veçanërisht të naftës.
Një raport i ri i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë tregon se më shumë se 10 milionë makina elektrike janë shitur në mbarë botën në vitin 2022 dhe se shitjet pritet të rriten me 35% të tjera këtë vit për të arritur në 14 milionë. Kjo rritje shpërthyese do të thotë se pjesa e makinave elektrike në tregun e përgjithshëm të makinave është rritur nga rreth 4% në 2020 në 14% në 2022 dhe pritet të rritet më tej në 18% këtë vit, bazuar në parashikimet më të fundit të Agjencisë.
“Mjetet elektrike janë një nga forcat lëvizëse në ekonominë e re globale të energjisë që po shfaqet me shpejtësi – dhe ato po sjellin një transformim historik të industrisë së prodhimit të makinave në mbarë botën”, tha drejtori ekzekutiv i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Fatih Birol.
Më së shumti shitje në Kinë
Shumica dërrmuese e shitjeve të makinave elektrike deri më sot janë të përqendruara kryesisht në tri tregje - Kinë, Evropë dhe Shtetet e Bashkuara.
Kina është e para, me 60% të shitjeve globale të makinave elektrike që ndodhin atje në vitin 2022. Sot, më shumë se gjysma e të gjitha makinave elektrike në rrugë në mbarë botën janë në Kinë.
Evropa dhe Shtetet e Bashkuara, tregjet e dyta dhe të treta më të mëdha, të dyja panë rritje të fortë me shitjet që u rritën përkatësisht 15% dhe 55% në vitin 2022.
Vitin e kaluar, Kina shiti 5,9 milionë vetura elektrike. ShBA-ja shiti gjithsej rreth 1 milion vetura elektrike. Ndërsa, nga vendet e BE-së, Gjermania shiti më së shumti vetura elektrike, rreth 830 mijë gjithsej.
Në mbarë botën konsiderohet se janë në përdorim rreth 26 milionë vetura elektrike aktualisht.