Twitter ka kërcënuar se do të padisë kompaninë teknologjike Meta për platformën e re Threads.
Faqja e lajmeve Semafor raportoi se avokati i Twitterit Alex Spiro akuzoi Metan për "përvetësim sistematik dhe të paligjshëm" të sekreteve tregtare pas lançimit të aplikacionit Threads.
Spiro tha se shërbimi i ri u ndërtua nga ish-punonjës të Twitterit, të cilët ai tha se ishin caktuar qëllimisht për të krijuar një aplikacion "copycat" (imitues).
"Twitter synon të zbatojë rreptësisht të drejtat e pronësisë intelektuale dhe kërkon që Meta të ndërmarrë hapa të menjëhershme për të ndaluar përdorimin e çdo sekreti tregtar në Twitter ose informacione të tjera tepër konfidenciale", thuhet në letrën e avokatit Spiro.
Sipas tij, Twitter rezervon të gjitha të drejtat, duke përfshirë të drejtën për të kërkuar mjete juridike civile dhe masa urgjente pa njoftim të mëtejshëm. "Konkurrenca është e mirë, mashtrimi jo", u përgjigj Elon Musk në një postim në Twitter.
Shërbimi i ri i Metas u lançua të mërkurën.
Drejtori i komunikimeve në kompaninë Meta, Andy Stone, postoi në Threads se askush në ekipin inxhinierik të aplikacionit nuk është ish-punonjës i Twitterit.