Si ndikuan ndryshimet klimatike në nxitjen e valëve të nxehtit? / Foto: Reuters

Temperaturat rekord të matura në hemisferën veriore këtë verë janë rezultat i ndryshimeve klimatike, sipas një studimi të ri.

Hulumtimi i organizatës joqeveritare Climate Central, e cila mbulon periudhën nga qershori deri në gusht 2023, tregoi se emetimet e gazeve serrë që nga fillimi i epokës industriale kanë bërë më të mundshme valët e të nxehtit që godasin Azinë, Afrikën, Evropën dhe Amerikën e Veriut.

Gjatë asaj periudhe, pothuajse gjysma e popullsisë së botës, ose afërsisht 3,8 miliardë njerëz, përjetuan të paktën 30 ditë nxehtësi ekstreme që u përkeqësua nga ndryshimet klimatike.

"Pothuajse askush në planet nuk i ka shpëtuar ndikimit të ngrohjes globale në tre muajt e fundit," tha Andrew Pershing, nënkryetar për shkencën në OJQ.

Faktori njeri në ndryshimet klimatike

“Në secilin prej vendeve që analizuam, veçanërisht në hemisferën jugore ku është koha më e ftohtë e vitit, ne vëzhguam temperatura që do të ishin të vështira të ndodhnin, madje të pamundura, pa ndryshime klimatike të shkaktuara nga njeriu. Ndotja nga emetimet e CO2 është qartë përgjegjëse për rekordet e nxehtësisë së këtij sezoni", shtoi Andrew Pershing.

Roli i ndryshimit të klimës sipas Pershing ishte tri deri në katër herë më i fortë në valët e të nxehtit në LDC dhe në vendet e vogla ishullore sesa në vendet e G20-shit, të cilat janë shumë më të pasura.

Disa vende sipas tij mbajnë përgjegjësi më të madhe për ndryshimet klimatike dhe ndotjen që ushqejnë nxehtësinë që të gjithë po durojmë tani.

Vera e vitit 2023 më e nxehta në botë

Vera e vitit 2023 ishte më e nxehta e regjistruar ndonjëherë, pasi kriza klimatike dhe fenomeni El Nino ngritën temperaturat dhe shkaktuan kushte ekstreme të motit në mbarë botën.

Në qershor, korrik dhe gusht, temperatura mesatare globale arriti në 16,77 gradë Celsius, që është 0,66 gradë mbi mesataren për periudhën nga viti 1991 deri në vitin 2020.

Të dhënat nga Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike të Bashkimit Evropian, Copernicus (C3S), treguan se gushti ishte 1,5 gradë më i ngrohtë se mesatarja paraindustriale për periudhën 1850-1900.

Oqeanet kanë qenë veçanërisht të nxehtë muajt e fundit, pasi çdo ditë në gusht temperatura mesatare globale e sipërfaqes së detit tejkaloi rekordin e mëparshëm të vendosur në mars 2016, kur ndodhi edhe fenomeni El Nino.

TRT Balkan