Shkencëtarët kanë zbuluar një peizazh tokësor të formuar nga lumenjtë e fshehur nën akullnajën e Antarktidës Lindore i vjetër 14 milionë vjet. Sipas CNN-it, shkencëtarët thanë se peizazhi i vjetër 14 milionë vjet në fjalë është formuar nga lumenjtë para formimit të shtresës së akullit të Antarktidës Lindore dhe se ajo u ngjan kodrave dhe luginave të Uellsit të Veriut të sotëm.
Duke përdorur avionë të pajisur me një sistem radar depërtues të akullit dhe të dhëna satelitore, ekipi hulumtues skanoi një sipërfaqe prej 32 mijë kilometrash katrorë, afërsisht sa madhësia e Belgjikës.
Profesori në Universitetin e Durhamit dhe autori kryesor i studimit, Stewart Jamieson, tha se ekipi u nis për të hartuar historinë e shtresës së akullit dhe mënyrën se si u zhvillua me kalimin e kohës dhe duke pasur ide se si dukej toka para se të ishte e mbuluar nga akulli ishte i rëndësishëm në këtë kontekst.
"Toka nën shtresën e akullit të Antarktidës Lindore është më pak e njohur se sipërfaqja e Marsit", tha Jamieson.
Sipas tij, struktura e tokës përcakton modelin e rrjedhës dhe drejtimin e akullit në Antarktidë. Jamieson tha se ajo kontrollon se si shtresa e akullit do t'u përgjigjet ndryshimeve klimatike që mund të ndodhin në të ardhmen.
Duke thënë se natyra e ruajtur mirë e tokës së zbuluar e bën atë të veçantë, Jamieson thekson se është e rrallë të gjesh tokë relativisht të pandryshuar nën shtresën e akullit që mbulon një kontinent të tillë.
Të dhënat gjeofizike të mbledhura nga shkencëtarët dhanë të dhëna për atë që shtrihet nën shtresën e akullit 2 kilometra të trashë. Rezultatet e hulumtimit u publikuan në revistën "Nature Communications".