Dy universitetet më të mëdha shqiptare, Universiteti i Tiranës dhe ai Politeknik i Tiranës, janë tashmë zyrtarisht si ‘COOPERATING INSTITUTES’ në eksperimentin CMS (Compact on Solenoid), të CERN-it (Qendra Europiane e Kërkimeve Bërthamore, Gjenevë, Zvicër).
Në këtë eksperiment punojnë rreth 5 mijë kërkues shkencor nga e gjithë bota. Tashmë edhe grupi shqiptar, i përbëre prej 7 fizikanësh, do të jetë pjesë e këtij organizmi shkencor.
Marrëveshja u nënshkrua në 5 mars, në Gjenevë.
Me këtë marrëveshje, pjesë e eksperimentit më të madh në planet në fushën e Fizikës, është tashmë zyrtarisht edhe një grup fizikanësh shqiptarë. Ky grup përbëhet nga Prof. As. Dr. Rudina Osmanaj, Prof. As. Dr. Klaudio Peqini dhe Prof. As. Dr. Olta Çakaj (Universiteti i Tiranës- Fakulteti i Shkencave të Natyrës); nga Prof. As. Dr. Altin Gjevori, Prof. As. Dr. Dafina Hyka dhe Dr. Enkelejd Çaça (Universiteti Politeknik i Tiranës) dhe Dr. Ilirjan Margjeka, si personi i kontaktit të eksperimentit CMS për Shqipërinë.
Pjesëmarrja e fizikanëve shqiptarë në këtë eksperiment vlerësohet si shumë e rëndësishme. Shkencëtarët shqiptarë kanë mundësi me të drejtë të plotë të kenë qasje te të dhënat eksperimentale reale duke publikuar rezultatet shkencore edhe në revista shkencore me famë botërore.