Dhjetëra pjesëtar të policisë të lënduar dhe disa protestues të arrestuar është bilanci i protestave të dhunshme të cilët ndodhën mbrëmë në Shkup, ku për katër ditë me radhë protestohet kundër propozimit francez i cili parasheh largimin e vetos bullgare kundrejtë Maqedonisë së Veriut për fillimin e negociatave për antarësim në BE. Dy prej pjesëtarëve të policisë kanë marrë lëndime të rënda.
Incidentet e fundit ndodhën para godinës së Kuvendit. Marshi i protestuesve filloi nga Qeveria, dhe kaloi përskaj sheshit “Skenderbue”, për të vazhduar drejtë ministrisë së Punëve të Jashtme, ndaj të cilës u hodh ngjyrë e kuqe dhe sende të rënda të cilët i thyen dritaret e objektit.
Protesta në Shkup dje u realizuan gjatë kohës kur kryetari i Këshillit të Evropës, Charles Michel ishte në vizitë zyrtare. Ndërkohë, sot është paralajmëruar ardhja e përfaqësuesit special të Qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Në krye të protestave qëndron partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE.
Më 30 qershor deri te Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, përmes ministrisë së Punëve të Jashtme, nga presidenca franceze arriti propozimi i ri, me çka filloi procesi konsultativ brenda Qeverisë, pastaj me Presidentin e vendit, mediat, sektorin civil dhe opozitën
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në konferencë për shtyp më 1 korrik deklaroi se propozimi i ri i përfshinë vërejtjet dhe qëndrimet e qarta të palës maqedonase, gjegjësisht ai parasheh qartë dhe pa dyshim njohjen e gjuhës maqedonase, si dhe kërkesën që protokolli me Bullgarinë të mos jetë pjesë e kornizës negociuese.
Presidenti i Francës, Emanuel Macron, vlerësoi se me propozimin e ri është gjetur zgjidhje kompromisi për të dy palët.
Kovaçevski: 27 prill nuk do të përsëritet
Ngjarjet e mbrëmshme nuk janë pasqyra e vërtetë e Republikës Evropiane të Maqedonisë së Veriut, një vend anëtar i NATO-s. Protestat janë një e drejtë demokratike e çdo qytetari, por dhuna nuk mund të justifikohet me asgjë, shkruan në profilin e tij në facebook, kryeministri Dimitar Kovaçevski.
"Dënoj ashpër sulmin ndaj policisë, e cila mbrëmë ishte në krye të detyrës, duke mbrojtur me profesionalizëm qytetarët dhe institucionet shtetërore. Dhuna dhe urrejtja nuk janë dhe nuk mund të jenë zgjidhje për asnjë problem. Unë do t'u them zjarrvënësve të protestave - mos manipuloni dhe abuzoni me të rinjtë për të kënaqur orekset tuaja politike. Skenari juaj mbrëmë rezultoi në mbi 40 policë të plagosur dhe mbi një duzinë të arrestuar. 27 Prilli nuk do të ndodhë më!, shkruan Kovaçevski.