Në Tetovë është mbajtur ceremonia e diplomimit në shkollat e Fondacionit Turk Maarif.
Në ceremoninë e mbajtur në kampusin e shkollës Maarif në Tetovë, dedikuar gjeneratës së gjashtë të shkollës në Tetovë dhe asaj të parë të shkollës në Shkup, morën pjesë përfaqësues të ambasadës turke në vend, përfaqësues të institucioneve turke në vend, përfaqësues të partive politike, deputetë, mësues, si dhe nxënës dhe familjet e tyre.
Përfaqësuesi i Fondacionit Turk Maarif në Maqedoninë e Veriut, Mehmet Baran, në fjalën e tij në ceremoni rikujtoi se Fondacioni Maarif është institucioni i pestë arsimor më i përhapur në botë që ka përfaqësi në 67 vende të botës, institucione arsimore në 53 vende, si dhe 53 mijë nxënës dhe mbi 8 mijë punonjës.
Mes të tjerash, ai në fjalimin e tij foli edhe për fëmijët në Gaza.
"Së bashkë me ju po diplomohen edhe fëmijët të cilët nuk kanë mundur të shkojnë në bankat e tyre të shkollës në Gaza që prej 7 tetorit, por janë diplomuar në parajsë", tha Baran.
Këshilltari për Arsim i Ambasadës së Türkiyes në Shkup, Orhan Kurtoğlu, nga ana e tij, duke përshëndetur të pranishmit tha se Türkiye duke i mbështetur të rinjtë që mësojnë nëpër këto shkolla pret që ata të bëjnë punë të dobishme së pari për vendet e tyre dhe pastaj edhe për të gjithë njerëzimin.
Në ceremoni u drejtuan me fjalim edhe drejtorët e shkollave në Shkup dhe Tetovë, ndërsa mësuesit dhe nxënësit zhvilluan një mini-koncert.
Në kuadër të programit, ku u shfaq një video e përgatitur nga maturantët, u ndanë certifikata për nxënësit më të mirë të të dyja shkollave dhe të gjithë maturantët morën diplomat e tyre.