Kryeministri kroat në Shkup: Tani është koha për përparime strategjike / Foto: AA

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ka shprehur mbështetjen pa rezervë për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, duke ofruar edhe ndihmë konkrete. Këtë e tha sot kryeministri kroat Plenkoviq në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

Plenkoviq tha se Kroacia e kupton mirë Maqedoninë e Veriut, e cila u bllokua disa herë në procesin integrues drejt BE-së.

Ngjashëm si Maqedonia e Veriut, edhe Kroacia duhej të bëjë ndryshime kushtetuese para anëtarësimit në BE, duke përfshirë në Kushtetutë pakicat kombëtare.

Plenkoviq bëri thirrje që të arrihet konsensus politik për ndryshimet kushtetuese, duke theksuar se proceset duhet të përshpejtohen dhe të marrin dinamikë të re.

"Pikërisht tani është koha kur duhet të bëhen veprimet e duhura dhe të realizohen përparime strategjike të cilat do të mundësojnë rritje ekonomike, situatë më të mirë sociale për të gjithë qytetarët e Maqedonisë (së Veriut) të cilët do të bëjnë hapërim strategjik pas shumë veprimeve të nevojshme që keni bërë deri më tani në vitet që janë pas jush", tha Plenkoviq.

Duke folur për ndihmën konkrete që vendi i tij i ofron Maqedonisë së Veriut, kryeministri kroat përmendi delegimin e këshilltarit Vlladimir Drobnjak, i cili ka qenë kryenegociator për Kroacinë gjatë anëtarësimit të saj në BE, për të ndihmuar Maqedoninë e Veriut në negociatat dhe çështjet teknike gjatë bisedimeve për anëtarësim në BE.

Kryeministri Kovaçevski në fjalën e tij tha se dy vendet i lidh jo vetëm e kaluara e përbashkët, por edhe dëshira për një të ardhme më të mirë në BE.

Ai theksoi se Shkupi dhe Zagrebi nuk kanë çështje të hapura, duke shtuar se dialogu politik në vazhdimësi thellohet dhe rritet bashkëpunimi ekonomiko-tregtar.

Kryeministri Kovaçevski foli edhe për procesin e ardhshëm të miratimit të ndryshimeve kushtetuese.

“Amendamentet kushtetuese, të cilat nënkuptojnë përfshirjen edhe të kroatëve në Kushtetutën tonë, janë para nesh dhe shpresoj dhe bëj thirrje që ne si shoqëri të kemi sukses në gjetjen e një konsensusi mbipartiak. Duke mbrojtur të drejtat e komuniteteve, ne mbrojmë jo vetëm identitetin e të tjerëve, por edhe tonin, identitetin e përbashkët me të cilin krenohemi si një shoqëri funksionale demokratike, multikulturore dhe multietnike", tha Kovaçevski.

Ai theksoi se në periudhën e ardhshme do të punohet për nxitjen e shkëmbimit tregtar dhe ekonomik me Kroacinë, duke përfshirë edhe sferën e turizmit.

Gjatë vizitës së tij zyrtare në Shkup, kryeministri kroat takoi edhe presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, dhe kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi.


AA