Hekurudhë e shpejtë Shkup-Nish-Beograd      / Foto: Qeveria e Maqedonisë së Veriut/Facebook

Serbia dhe Maqedonia e Veriut nënshkruan Memorandum Bashkëpunimi për krijimin e një rrjeti hekurudhor me performancë të lartë, që i referohet ndërtimit të aksit hekurudhor Shkup-Nish-Beograd.

Memorandumi i cili u nënshkrua në Beograd mes ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe ministrisë së Ndërtimit, Komunikacionit dhe Infrastrukturës të Republikës së Serbisë, synon lidhjen e rajonit me BE-në dhe zhvillim të përshpejtuar ekonomik.

“Bëhet fjalë për një hekurudhë që në fazën e parë duhet të ndërtohet në gjatësi rreth 50 kilometra në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe synimi është, siç tha kryeministrja e Serbisë, që korridori 10 të ndërtohet tërësisht me një hekurudhë të re që do të jetë nga Shkupi në Selanik pastaj nga Selaniku në Pire dhe Athinë. Shpejtësia komerciale e kësaj hekurudhe do të jetë së paku 160 km/h”, tha kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

Qeveritë e dy vendeve gjatës dy javëve të ardhshme do të formojnë një grup pune që do të përgatisë planin e aktiviteteve me dinamikën e realizimit të këtij projekti.

“Infrastruktura hekurudhore është një infrastrukturë prioritare dhe sipas strategjisë së transportit, trafiku hekurudhor është aktualisht transporti më i rëndësishëm për Evropën, por edhe për gjithë botën, sepse është mënyra më ekologjike për mjedisin dhe më efikase për komunikacionint”, tha kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq.

Ndërtimi i kësaj linje hekurudhore synon të krijoj një korridor të gjatë i cili do të nis nga Athina dhe do të kalojë në Selanik-Shkup-Nish-Beograd-Zagreb-Ljubljanë-Salzburg, me destinacion final Budapestin.

Kryeministrat e dy vendeve theksuan se ky projekt në kuadër të nismës rajonale do të mundësojë transport të shpejtë të mallrave dhe shërbimeve jo vetëm nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe drejt vendeve anëtare të BE-së. Memorandumi që u nënshkrua mes dy vendeve buron nga iniciativa “Ballkani i Hapur”

TRT Balkan