Kryeministri maqedonas Kovaçevski takon senatorin amerikan, Chris Murphy / Foto: AA

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka pritur në një takim senatorin amerikan, Chris Murphy, i cili po viziton vendin në kuadër të një turi rajonal.

Pas takimit në ndërtesën e qeverisë së Maqedonisë së Veriut në Shkup, Kovaçevski dhe Murphy mbajtën një konferencë të përbashkët për media.

Kryeministri Kovaçevski tha se takimet e tyre të shpeshta flasin për përkushtimin e fortë të senatorit Murphy për rajonin dhe mbështetjen e tij personale dhe të vazhdueshme për Maqedoninë e Veriut dhe zhvillimin e saj demokratik, stabilitetin dhe prosperitetin.

Ai tha se ka marrë një garanci nga senatori Murphy se ShBA-ja do të vazhdojnë të mbështesë Maqedoninë e Veriut në të gjitha aspiratat e saj, veçanërisht drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Kovaçevski theksoi se në takim është biseduar për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe ShBA-së, veçanërisht në kushtet kur vendi është duke ndërmarrë hapat e ardhshëm në integrimet evropiane.

"Falë mbështetjes së miqve të sinqertë si ShBA-ja, sot Maqedonia e Veriut, pas tre dekadave të pavarësisë së saj, është kthyer nga një përfituese e misioneve ndërkombëtare të paqes në një vend që është faktor stabiliteti në Ballkanin Perëndimor, vend anëtar i NATO-s, kryesues i OSBE-së, vend që ka filluar negociatat me BE-në, vend në të cilin janë depozituar marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të procesit të Berlinit dhe vend që është nikoqire e negociatave mes vendeve tjera", tha Kovaçevski.

"SHBA dhe Maqedonia e Veriut dëshmojnë konceptin e partneritetit në veprim. Proceset e reformave që po zhvillohen në vendin tonë në 30 vitet e fundit kanë mbështetjen më të fortë nga miqtë tanë amerikanë, të cilët angazhohen fuqishëm në demokratizimin e shoqërisë sonë. Tri dekada mbështetje për një sistem të qeverisjes së mirë, luftë kundër korrupsionit dhe mbështetje të proceseve demokratike në vend, duke përfshirë forcimin dhe promovimin e zhvillimit ekonomik të vendit", shtoi kryeministri i Maqedonisë së Veriut.

Duke iu referuar partneritetit ekonomik, Kovaçevski tha se shkëmbimi tregtar me ShBA-në vitin e kaluar arriti në mbi një çerek miliardë dollarë, duke kujtuar se për momentin në vend janë 12 kompani të mëdha amerikane.

Murphy: Do të ishte shqetësuese për një vend të NATO-s t'ia kthejë shpinën BE-së

Senatori amerikan, nga ana tjetër, duke theksuar se SHBA-të dhe Maqedonia e Veriut kanë qenë partnerë sigurie për një kohë të gjatë, tha se aleanca tyre është e fortë "siç dëshmohet nga uniteti ynë për të kundërshtuar pushtimin brutal të Ukrainës nga Rusia, duke u siguruar që Rusia të paguajë një çmim për shkeljen e ligjit ndërkombëtar".

Ai u ndal edhe në partneritetin e fuqishëm ekonomik në rritje mes dy vendeve, duke shtuar se më shumë kompani amerikane bëjnë biznes në këtë vend se sa në të kaluarën.

AA