Kryetari i Kuvendit të Mbretërisë së Arabisë Saudite (Mexhlisi al Shura), Abdullah ibn Muhammad Al ash-Sheikh, qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, transmeton Anadolu.
Fillimisht, ai realizoi takim me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.
Siç njofton Kuvendi, Xhaferi i uroi mirëseardhje dhe i përshëndeti marrëdhëniet e deritanishme të mira dhe miqësore ndërmjet dy vendeve.
Xhaferi theksoi se vizitat e këtilla të përfaqësuesve më të lartë të Arabisë Saudite janë nxitje për përforcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në më shumë nivele, me theks në nevojën për intensifikimin dhe përforcimin e komunikimit politik të ndërsjellë në të gjitha nivelet, e sidomos edhe në planin ekonomik.
"Kryetari Xhaferi veçanërisht e theksoi bashkëpunimin parlamentar dhe i përshëndeti nismat e deritanishme të pranuara nga ana e Arabisë Saudite për nënshkrimin e shumë marrëveshjeve bilaterale në fusha të ndryshme", thuhet në njoftim. Kryetari i Kuvendit të Mbretërisë së Arabisë Saudite, Abdullah ibn Muhammad Al ash-Sheikh, falënderoi për pritjen e ngrohtë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe takimin me Kryetarin Xhaferi. Ai konfirmoi se takimet e këtilla janë të dobishme për të dyja palët, sidomos në drejtim të përforcimit dhe afrimit të marrëdhënieve të ndërsjella ndërshtetërore.
Në këtë kontekst, ai i propozoi Kryetarit Xhaferi që në përbërjen e ardhshme parlamentare në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut të formohet grup i veçantë i bashkëpunimit vetëm me Mbretërinë e Arabisë Saudite, si dhe drejtoi edhe ftesë verbale për vizitë zyrtare në Mbretërinë e Arabisë Saudite në periudhën e ardhshme.
“Ne si vend dhe si komb jemi të përcaktuar për paqe dhe bashkëpunim me të gjitha vendet në botë dhe në këtë drejtim, kisha dashur që të punojmë me vendin Tuaj në shfrytëzimin më të madh të potencialit ekonomik që e kemi,” theksoi në fund të elaborimit të vet Kryetari i Kuvendit të Mbretërisë së Arabisë Saudite, Abdullah ibn Muhammad Al ash-Sheikh. Kryeparlamentari i Arabisë Saudite po ashtu realizoi takim me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i cili shprehu kënaqësinë për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe të karakterizuara me miqësi dhe mirëkuptim të ndërsjellë.