Pa presion, në një procedurë të pastër juridikisht, deputetët të votojnë ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutë, ashtu siç është marrë obligim me propozimin francez. Kështu porositi sot Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, gjatë fjalimit të tij të fundvitit në Kuvend.
Sipas tij, nëse të gjitha partitë pajtohen se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është interes strategjik i vendit, atëherë nuk duhet të ketë arsye për të mos përkrahur ndryshimet kushtetuese.
“Vetë përmbajtja e propozimit, përfshirja e bullgarëve dhe pjesë të popujve të tjerë në Kushtetutë, në asnjë mënyrë nuk e rrënon identitetin maqedonas. Dhe e dyta, ata që sot janë kundër, nëse vërtet besojnë se anëtarësimi në BE është qëllimi ynë strategjik, konstanta jonë që nga viti 1991 deri sot dhe nëse sot janë kundër, atëherë si do të votojnë për këto ndryshime kushtetuese kur të bëhen pjesë e pushtetit”, deklaroi Pendarovski.
Pendarovski foli edhe për korrupsionin si problem serioz në Maqedoninë e Veriut dhe besimin e ulët të qytetarëve në institucione.
“Interesimi i jashtëzakonshëm mediatik që pasoi vizitën e të ashtuquajturit ekipi i sanksioneve nga ShBA-ja është konfirmimi më i mirë i mosbesimit që qytetarët tanë kanë ndaj autoriteteve vendase kur shohin të vetmen shpresë për drejtësi në institucionet e huaja dhe ndërkombëtare. Megjithatë, realiteti është se askush nga jashtë nuk do ta çrrënjosë korrupsionin në Republikën e Maqedonisë së Veriut, nëse institucionet tona dhe përfaqësuesit e zgjedhur politikë të qytetarëve nuk e bëjnë këtë”, tha Pendarovski.
Presidenti i Maqedonisë së Veriut theksoi edhe luftën në Ukrainë dhe pasojat e saj në formën e krizës energjetike dhe ekonomike si sfida globale që kanë prekur edhe vendin.
Duke folur për dobitë e anëtarësimit në NATO, presidenti maqedonas tha se Aleanca Veriatlantike i ka ndihmuar shtetit të parandalojë tri sulme terroriste që në fazën përgatitore.