Blinken theksoi se ShBA-ja do të vazhdojnë të mbështesin Maqedoninë e Veriut në hapat e saj të ardhshëm, duke vlerësuar lart vendimet e deritanishme të Qeverisë në drejtim të sigurimit të një të ardhmeje të begatë brenda BE-së dhe NATO-s.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovacevski, në kuadër të vizitës së tij të punës në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dje është takuar me Sekretarin e Shtetit të ShBA-së, Anthony Blinken.
Sipas njoftimit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, në takim Kovaçevski dhe Blinken shkëmbyen mendime për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe ShBA-së, si dhe për situatën në rajon.
“Në takimin ku ishte i pranishëm edhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, kryeministri Kovaçevski vlerësoi se dy vendet në vazhdimësi kultivojnë një dialog politik produktiv dhe se Maqedonia e Veriut mbetet një partner strategjik i qëndrueshëm dhe një aleat i dëshmuar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Të dyja vendet ndajnë lidhje të thella, të bazuara në respektin e ndërsjellë për vlerat demokratike dhe të drejtat e njeriut, dhe marrëdhënie të tilla do të vazhdojnë të zhvillohen me dinamikë edhe më të fortë”, thuhet në komunikatë.
Sekretari amerikan i Shtetit Blinken theksoi në takim se ShBA-ja e vlerëson lart kontributin e Maqedonisë së Veriut në kontekstin rajonal, por mbi të gjitha si një aleat i fortë i NATO-s. Blinken theksoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Maqedoninë e Veriut në hapat e saj të ardhshëm.
“Blinken përcolli mbështetjen e fuqishme afatgjatë të presidentit Biden për rajonin dhe veçanërisht për Maqedoninë e Veriut, me shpresën se vendi do të përfitojë nga mundësitë që i pret dhe rrugës”, thuhet në njoftim.