Istanbul, në dhjetor do të mbahet "Forumi Cihannüma İstanbul" /        Foto: AA

Forumi i Istanbulit i organizuar nga Shoqata e Solidaritetit dhe Bashkëpunimit Cihannüma ku do të diskutohet për "Sfidat dhe mundësitë me të cilat përballet bota islame" do të mbahet në datat 13-15 dhjetor.

Kryetari i Përgjithshëm i Shoqatës, Rıza Yorulmaz, në deklaratën për gazetarin e AA-së tha se në zgjidhjen e çështjeve me të cilat përballet bota islame sot, nevojiten analiza delikate dhe zgjidhje novatore.

Ai tha se është rritur nevoja për platforma të posaçme të përkushtuara diskutimeve intelektuale lidhur me këto probleme. "Prioritetizimi i platformave aktuale të udhëheqësve shtetërorë dhe politikanëve injoron zërat dhe përvojat e ndryshme të popullsisë së madhe muslimane nga fusha të ndryshme si akademia, shkenca, bota e biznesit dhe e artit dhe shoqëria civile", tha Yorulmaz.

Sipas tij, "Forumi Cihannüma Istanbul duke synuar të mbushë këtë boshllëk kritik, do të plotësojë boshllëkun e një platforme globale që nxit diskutimin intelektual dhe bashkëpunimin për të trajtuar sfidat dhe mundësitë e botës bashkëkohore islame. Forumi Cihannüma Istanbul synon ta mbajë gjallë traditën bashkëkohore të mendimit islam duke bashkuar trashëgiminë intelektuale të prodhuar nga gjeografia e tij me akumulimin globale të botës islame".

Yorulmaz tërhoqi vëmendjen se forumi synon të mbushë boshllëkun kritik si një platformë globale që inkurajon debatin intelektual dhe bashkëpunimin për të trajtuar sfidat dhe mundësitë me të cilat përballet bota bashkëkohore islame.

"Fokusi do të jetë mbi çështjet si familja, drejtësia, migrimi, zhvillimi ekonomik dhe lufta kundër varfërisë, informacioni, mendimi, kultura, arti dhe letërsia, punimet e shoqërisë civile, digjitalizimi, shëndeti mendor dhe mirëqenia në botën islame si dhe pakicat muslimane dhe uniteti i umetit në nivel global", theksoi Yorulmaz.

"Derisa trajtohen këto tema, do të përdoren edhe shumë formate të ndryshme. Në mesin e formateve të rekomanduara përfshihen sesione të planifikuara, panele diskutimesh, sesione të mbyllura me ekspertë të fushës, seminare teke me emrat të posaçëm, fjalime, debate, prezantime raportesh, hackathon (për pjesëmarrës të moshës së re) dhe ekspozita. Secila nga seancat që do të mbahet synon të krijojë mjedis për realizimin e konsultimeve dhe projekte të përbashkëta bashkëpunimi mes organizatave udhëheqëse në botën islame, të njohura për përvojën e tyre në fushën përkatëse", shtoi ai.

Shkëmbim i ideve intelektuale për çështje aktuale

Pasi nënvizoi se në forum synojnë të rrisin unitetin dhe bashkëpunimin mes shoqërive muslimane, Yorulmaz tha se ata do të inkurajojnë shkëmbimin e ideve intelektuale për çështjet aktuale me të cilat përballet bota islame.

Ai potencoi se në forum do të zgjidhin sfidat kryesore me të cilat përballen shoqëritë muslimane në mbarë botën. "Në forum synojmë të zhvillojmë zgjidhje praktike dhe udhërrëfyes për të trajtuar sfidat e identifikuara, të ndërtojmë ura dhe të përmirësojmë mirëkuptimin e ndërsjellë mes komuniteteve të ndryshme muslimane, të përhapim njohuritë dhe gjetjet e forumit në audienca më të gjera dhe të lehtësojmë bashkëpunimin për sfidat e përbashkëta me komunitetin më të gjerë ndërkombëtar", tha Yorulmaz.

Yorulmaz tha se agjenda kryesore e forumit do të jetë "Mendimi bashkëkohor islam" dhe "bota islame". "Çështjet bashkëkohore të botës islame: 'Dituria, vullneti dhe rendi' do të diskutohen përmes temës dhe perspektivës dhe pasi këto çështje të diskutohen më shumë në bazë të mendimit dhe idesë, do të prezantohen zgjidhje, udhërrëfyes dhe identifikime të ndryshme të problemeve", tha ai.

Forumi do të mbahet në Universitetin "Haliç" dhe do të zgjasë tri ditë, informoi Yorulmaz duke thënë se "Në Forum do të marrin pjesë rreth 50 liderë nga vende të ndryshme të botës islame, mendimtarë, opinionistë si dhe akademikë, mendimtarë dhe intelektualë të shumtë nga Türkiye. Agjencia Anadolu do të jetë partner i komunikimit të Forumit Cihannüma Istanbul".

AA