Për dallim nga viti i kaluar, ku e tërë bota u ballafaqua me pandeminë, viti i ri shkollor në vendet e Ballkanit pritet të fillojë në kohën e rregullt, në fillim të muajit shtator. Objekte të reja, inovacione, reforma dhe vështirësi janë paralajmërimet e autoriteteve për nxënësit nga vendet e ndryshme të rajonit.
“Një Abetare” për nxënësit e Shqipërisë dhe të Kosovës
Nga Marrëveshja e fundit e vitit 2021 të dy qeverive Shqipëri-Kosovë, nga ky vit nxënësit e këtyre vendeve do të mësojnë me një Abetare të përbashkët.
Kjo abetare do të jetë e dyta pas vitit 2012, kur ishte përzgjedhur Abetarja e përbashkët Kosovë-Shqipëri.
Risi tjetër sa i përket arsimit në Shqipëri është miratimi i strukturës së re të vitit shkollor 2022-2023, ku është parashikuar një javë më shumë pushim sesa viti që lamë pas. Pushimi do të jetë nga data 3 deri më 9 mars.
Në këto ditë, sipas Ministrisë së Arsimit dhe të Sportit në Shqipëri, nxënësit do të pushojnë, por edhe do të luajnë e do të argëtohen për të marrë energji të reja për periudhën e mbetur, ndërsa mësuesit do të kenë më shumë kohë për vlerësimet e nxënësve dhe përgatitjet në vijim.
Nga ana tjetër, nxënësit e Kosovës do të jenë peng e grevës së arsimtarëve që nuk po gjejnë dot gjuhë të përbashkët me Ministrinë e Arsimit, të Shkencës, të Teknologjisë dhe të Inovacionitpër rritjen e rrogave.
Si pasojë, në Kosovë ende mbetet e paqartë se kur do të fillojë viti i ri shkollor.
Maqedonia e Veriut me objekte të reja dhe reforma në arsim
Viti shkollor në Maqedoninë e Veriut do të fillojë më 1 shtator.
Ministria e Arsimit dhe e Shkencës në bashkëpunim me Byronë e Zhvillimit të Arsimit, institucionet e tjera kompetente, si dhe partnerët, po punojnë intensivisht për të siguruar të gjitha kushtet e domosdoshme për fillim të suksesshëm të mësimit. Në vazhdim janë duke u zhvilluar disa aktivitete investimi për ndërtimin e objekteve të reja dhe rindërtimin e objekteve shkollore ekzistuese, për ndërtimin e sallave sportive, furnizimin e pajisjeve për një pjesë të shkollave, vendosjen e 265 kabineteve të shkencave natyrore në shkollat fillore etj.
Veçanërisht është e rëndësishme të theksohet se për të dytin vit radhazi vazhdon zbatimi me faza i reformës më të madhe arsimore në arsimin fillor, e cila duhet të avancojë ndjeshëm cilësinë e mësimdhënies dhe ta bëjë shkollën vend më interesant për të rinjtë.
Në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë nxënësit i paguajnë vetë librat!
Për dallim nga vendet e tjera të rajonit, nxënësit në Serbi dhe Bosne e Hercegovinë janë të detyruar të paguajnë librat e tyre.
Çmimet e kompleteve të teksteve ndryshojnë nga shkolla në shkollë, sepse këshilli i mësuesve të çdo shkolle merr vendim për përzgjedhjen e teksteve për lëndët e çdo klase veç e veç, me propozimin e këshillave të ekspertëve për një lëndë të caktuar.
Mesatarisht në Serbi, nxënësit e shkollës fillore paguajnë 60-70 euro, varrësisht nga niveli i klasës, ashtu siç shtohen lëndët, ashtu edhe rritet çmimi i librave.
Nuk është më mirë as në Bosnje e Hercegovinë, ku çmimi i librave për filloristët sillet nga 50 euro e më lart.
Pa probleme në Kroaci dhe Mal të Zi
Autoritetet në Kroaci dhe Mal të Zi kanë njoftuar se, për dallim nga viti i kaluar nën ethet e pandemisë, viti i ri shkollor do të fillojë pa asnjë problem.
Madje, në të dyja vendet viti i ri shkollor planifikohet të fillojë më 5 shtator, me arsyetimin se këto ditë shtesë pushimi do të ndihmojnë nxënësit të përgatiten më mirë për obligimet shkollore dhe njëkohësisht të vazhdojë sezoni i suksesshëm turistik.
31 Gus 2022
Viti i ri shkollor në Ballkan midis reformave dhe vështirësive
Nxënësit në vendet e ndryshme të rajonit vitin e ri shkollor do ta presin sa me gëzim, aq me vështirësi.
TRT Balkan
Lajme të ngjashme
Artikujt në këtë kategori
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore
Gjykata Speciale kufizon kontaktet për Thaçin, Veselin dhe Selimin
Ky vendim, siç njofton Gjykata Speciale, vjen si përgjigje ndaj përpjekjeve për të ndërhyrë te dëshmitarët e për të penguar dëshmitë e tyre, dhe kërcënimeve të mëtejshme ndaj integritetit të procesit në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët.