Nga 477 shkolla publike fillore dhe të mesme në Maqedoninë e Veriut, 233 shkolla kanë aplikuar për furnizim të subvencionuar të energjisë elektrike, tha kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski në konferencë për medie.
“Nga 70 ndërmarrjet publike në fushën e menaxhimit të ujërave, grumbullimit dhe largimit të ujërave të zeza urbane dhe pastrimit të ujërave të zeza që operojnë me stacionet e pompimit apo trajtimit, kanë aplikuar 50 subjekte”, tha Kovaçevski.
Ai theksoi se në kushtet e krizës energjetike shkollave fillore dhe të mesme u mundësohet që të lidhin kontrata për furnizim me energji elektrike me çmim prej 95 euro për megavat orë, përfshirë edhe ndërmarrjet publike për menaxhim të ujit.
Sa i përket sektorit privat, ai tha se energjia elektrike ofrohet me 80 euro për megavat orë për kompanitë që prodhojnë produkte ushqimore bazë, gjegjësisht kompanitë që prodhojnë vaj për gatim, bukë dhe produkte furre, miell, qumësht dhe produkte qumështi, si dhe industrisë së mishit dhe fermave.
"Nga kategoria e personave fizik dhe juridik të regjistruar në sektorin e ushqimit kanë aplikuar 235 subjekte. Subjektet që nuk kanë dorëzuar dokumentet e plota do të mund ta bëjnë këtë në periudhën e ardhshme dhe do të vendosen në furnizim të subvencionuar nga 1 janari", shtoi Kovaçevski.
Ai theksoi se qeveria mbetet e përkushtuar në mbështetjen e qytetarëve dhe kompanive, duke shtuar se me dy pako masash kundër krizës janë ndarë gjithsej 760 milionë euro.