Luiza Gega shkruan historinë. Atletja 33 vjeçare ka arritur një prej sukseseve më të mëdha sportive të Shqipërisë. Ajo sonte në një natë magjike në kulmin e saj të karrierës ka fituar medaljen e artë në Kampionatin Evropian që po mbahet në Munich të Gjermanisë. Gega është kampione evropiane në vrapimin 3000 metra me pengesa. Deri tek medalja e artë atletja shqiptare arriti me një finish prej 9 minuta, 11 sekonda e 31 të qindëtat. Ajo ka vendosur rekord të kampionatit evropian.
Medalja e argjendtë i ka takuar gjermanes Lea Meyer, ndërsa të bronztën e fitoi britanezja Elizabeth Bird.
Ka kohë që Gega shquhet me rezultate të mira në skenën ndërkombëtare, mirëpo sonte ajo ka shfaqur gjithë potencialin, duke i siguruar Shqipërisë medalje të rrallë të artë nga Evropiani.
Suksesi i Luiza Gegës i ka gëzuar tejmase të gjithë shqiptarët, e në veçanti kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i cili në një postim në rrjetin social facebook ka shkruar: “Ky është kulmi, bravo Luiza, bravo Kampione. E paepura Luiza Gega kampione e Europës në 3000 metra me pengesa. Askush më parë s'ia ka dalë të ngjisë majën e Europës me flamurin kuqezi në pistën e atletikës”.