Skuadra kosovare e futbollit, Ballkani, sot në mbrëmje do të zhvillojë ndeshjen e tretë si mysafir kundër Sivasspor-it të Türkiye-s, në kuadër të grupit G të Ligës së Konferencës së UEFA-s.
Në këtë ndeshje skuadra e Ballkanit në krye me trajnerin Ilir Daja do të provojnë të korrin fitoren e parë në fazën e grupeve, ndonëse ballafaqimi me kundërshtarin turk, sipas Dajës, nuk është aspak i lehtë.
Gjatë konferencës së tij para ndeshjes në stadiumin Sivas 4 Eylül, Daja tha se ekipi i tij, përveç që është i ri në moshë, kjo është edhe hera e parë që merr pjesë në Ligën e Konferencës, ndërsa Sivasspor-i tashmë njihet si ekip me përvojë në arenën ndërkombëtare të futbollit.
“Ballkani merr pjesë për herë të parë në Evropë. Kundërshtarët kanë qenë mjaft të fortë. Kemi bërë një lojë të mirë. Ndoshta sot do të kemi ndeshjen ku eksperienca e lojtarëve do të përballet me freskinë ose me energjinë e lojtarëve të rinj që kemi ne”, tha Daja.
Nga ana tjetër, sulmuesi i Ballkanit, Albion Rrahmani, falë golave të të cilit skuadra e tij ka shkruar historinë me pjesëmarrjen në grupe të Ligës së Konferencës, deklaroi se do të përpiqen të japin maksimumin nga vetja që të rrikthehen në Kosovë të pamposhtur.
Si qëndron Ballkani në Ligën e Konferencës dhe kampionatin vendor?
Në 2 ndeshjet e zhvilluara deri më tani, ekipi nga Suhareka e Kosovës renditet në vendin e 3-të me 1 pikë.
Ndeshja e parë në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë ndërmjet Ballkanit dhe ekipit rumun CFR Cluj përfundoi 1:1, ndërsa në ndeshjen e dytë Ballkani ishte e pafat si mysafire në Çeki, ku pësoi humbje 3:2 nga skuadra e Slavia Prague.
Sa i përket kampionatit vendor Ballkani me shtatë ndeshje të zhvilluara ka vetëm një humbje dhe gjashtë fitore, kështu duke u radhitur e 2-ta në tabelë, tri pikë më pak se Drita, por me 2 ndeshje të pazhvilluara shkaku i angazhimeve në garat ndërkombëtare.
Sivasspor-i në Super Ligën e Türkiye-s
Skuadra turke nga dy ndeshjet e zhvilluara në kuadër të Ligës së Konferencës ka grumbulluar katër pikë. Në ndeshjen e parë si nikoqir i Slavia Prague ka barazuar me rezultat 1:1, ndërkaq në ndeshjen e dytë Sivasspor arriti të triumfojë si mysafire në Romani ndaj skuadrës CFR Cluj me rezultat 0:1.
Për dallim nga rezultatet pozitive në arenën ndërkombëtare, Sivasspor në kampionatin vendor nga tetë ndeshje të zhvilluara radhitet e parafundit në tabelë me vetëm katër pikë, pa asnjë fitore.
Ndeshja e sotme ndërmjet Sivasspor dhe Ballkanit do të zhvillohet në ora 18:45, ndërsa ndeshja kthyese në Kosovë do të luhet një javë më vonë, më 13 tetor.
6 Tet 2022
Ballkani përballë Sivasspor-it në Konferencë Ligë
Nga 2 ndeshjet e para në kuadër të grupit G të Ligës së Konferencës, skuadra kosovare ka vetëm një pikë, ndërsa Sivasspor-i radhitet e para në grup me katër pikë.
TRT Balkan
Lajme të ngjashme
Tre mijë atletë nga 100 vende pjesë e Lojërave Botërore Nomade në Türkiye
Lojërat Nomadike Botërore, një projekt i iniciuar nga qeveria në vitin 2012 për të rivendosur dhe ruajtur kulturën e qytetërimeve nomade, filluan në Kirgistan, i cili priti edicionet e para, të dyta dhe të treta të lojërave në 2014, 2016 dhe 2018.
Artikujt në këtë kategori
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore