Ëndrra e klubit futbollistik Ballkani, nga qyteza e Suharekës në Kosovë, për të luajtur në një garë evropiane u bë realitet. Me ballafaqimin e sontëm kundër ekipit të CFR Cluj nga Rumania, skuadra e Ballkanit edhe zyrtarisht e fillon rrugëtimin e saj në Konferencë Ligë. Ndeshja e parë luhet në Prishtinë, në staudimin “Fadil Vokrri”.
Ballkani gjendet në grupin C të Konferencë Ligës, ku mes të tjerash marrin pjesë ekipi i Sivassporit nga Türkiye dhe ai i Slavia Prague-s nga Çekia.
Karakteristikë e klubit nga Suhareka është se me debutimin në garat evropiane ka arritur të kualifikohet në fazën e grupeve të një gare, siç është Konferencë Liga. Pengesën e fundit futbollistët e Ballkanit e kaluan dy javë më parë kur e mposhtën e ekipin e Shkupit me rezultat 1-0 në Prishtinë.
Drejtuesit e klubit të Ballkanit këtë sukses nuk ia adresuan vetes, por në përgjithësi futbollit kosovar. Prej vitit 2016 kur Kosova zyrtarisht u pranua në UEFA, disa klube futbollistike kanë luajtuar në fazën e kualifikimeve për Ligën e Kampionëve ose Europa Ligën. Megjithatë, asnjë klub tjetër më herët nuk e ka arritur të kualifikohet në fazën e grupeve.
Rezultatet pozitive të njëpasnjëshme të klubit të Ballkanit dhe ekipeve të tjera kanë reflektuar edhe në rritjen e koeficientit të Kosovës në listën e klubeve të UEFA-s. Aktualisht reprezentacioni renditet në vendin e 33-të, duke lënë pas vendet si Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Për dallim nga futbollistët e Ballkanit, të cilët për herë të parë do ta shijojnë një ndeshje në fazën e grupeve, trajneri i tyre Ilir Daja sonte fillon “episodin” e dytë në një garë evropiane në futboll. Paraprakisht, ai në vitin 2017 e kishte udhëhequr ekipin e Skenderbeut nga Korça në fazën e grupeve në Europa Ligë.
8 Sht 2022
TRT Balkan
Lajme të ngjashme
Artikujt në këtë kategori
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore
Gjykata Speciale kufizon kontaktet për Thaçin, Veselin dhe Selimin
Ky vendim, siç njofton Gjykata Speciale, vjen si përgjigje ndaj përpjekjeve për të ndërhyrë te dëshmitarët e për të penguar dëshmitë e tyre, dhe kërcënimeve të mëtejshme ndaj integritetit të procesit në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët.