Skuadra e Spanjës në futboll është fituese e edicionit të tretë të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Në finalen e madhe të Roterdamit, rrjetat pushuan pas 120 minutash lojë, kështu që pas penalltive spanjollët ishin më të suksesshëm, pasi portieri i tyre, Unai Simon, priti dy goditje të kroatëve (4-5).
Por, çfarë e bën të veçantë këtë finale, gjegjësisht triumfin e Spanjës në këtë kompeticion, ju njofton në vazhdim TRT Balkan.
Finalja e parë në penallti
Ndeshja ndërmjet Spanjës dhe Kroacisë është finalja e parë e Ligës së Kombeve, fituesi i së cilës mësohet nga gjuajtja e penalltive.
Fituesit e mëparshëm të këtij kompeticioni i cili organizohet çdo dy vjet janë Portugalia, e cila mposhti Holandën me rezultat minimal 1-0 (2019), dhe Franca që ishte më e mirë se Spanja me rezultat 2-1 (2021).
Kualifikimi në Kampionatin Evropian
Një veçanti tjetër e këtij turneu ndërkombëtar të UEFA-s është privilegji i të qenët skuadra e parë e cila arrin të kualifikohet në Kampionatin Evropian.
Fituesi i ndeshjes finale të Ligës së Kombeve me automatizëm e siguron plasmanin në Kampionatin Evropian, që në këtë rast Spanja tashmë në dorën e ka një biletë për EURO 2024.
Spanja kompleton trofetë ndërkombëtarë
Pas fitoreve të njëpasnjëshme të Spanjës në Kampionatin Evropian të vitit 2008 dhe 2012 kundër Gjermanisë dhe Italisë, dhe shpalljen e kampionit botëror në vitin 2010 në Afrikën e Jugut kundër Holandës, Spanja arriti të kurrorëzohet edhe me titullin e fituesit të Ligës së Kombeve.
Nëse thuajse një shekull Spanja nuk llogaritej ndër kombëtaret që pretendonin trofetë, vetëm brenda një dekade e gjysmë ata kanë kompletuar të gjitha kupat e UEFA-s dhe FIFA-s në të cilat kanë marrë pjesë.