Në një konferencë për media, trajneri francez Giresse tha se është dëshpërues lëndimi i tre futbollistëve, përfshirë dy mbrojtësit, Mërgim Vojvodës dhe Leart Paqaradës, si dhe sulmuesit Shkëlqim Vladi.     Foto: FFK/Facebook

Përzgjedhësi i përfaqësueses së Kosovës në futboll, Alain Giresse, ka shprehur shqetësimet e tij për lëndimin e tre futbollistëve në prag të grumbullimit për dy ndeshjet e shtatorit të Kosovës, asaj kundër Irlandës së Veriut dhe Qipros Greke të vlefshme në Ligën e Kombeve.

Në një konferencë për media, trajneri francez Giresse tha se është dëshpërues lëndimi i tre futbollistëve, përfshirë dy mbrojtësit, Mërgim Vojvodës dhe Leart Paqaradës, si dhe sulmuesit Shkëlqim Vladi. Ai u shpreh se në repartin e defensivës është më vështirë gjetja e zëvendësimeve adekuate, duke ditur mungesën e përvojës së lojtarëve të tillë në arenën ndërkombëtare.

Giresse tha se ka përzgjedhur lojtarët të cilët janë më në formë aktualisht në ekipet e tyre përkatëse për dy ndeshjet e ardhshme të këtij muaji.

“Jemi fokusuar në pjesën e lojtarëve të rinj, që të sjellim sa më shumë lojtarë të rinj në mënyrë progresive të cilët në të ardhmen do të kenë një rol kyç në përfaqësuesen tonë, duke ruajtur gjithmonë bazën e njëjtë të lojtarëve të cilët janë të rëndësishëm për përfaqësuesen tonë mirëpo në të njëjtën kohë duke sjellë emra të rinj. Kjo është ajo që e karakterizon grupimin e kësaj radhe, strategjia e sjelljes së lojtarëve të rinj”, theksoi Giresse duke mos sjellë emra konkretë për shkak se siç tha ai “në disa pozita kemi lojtarë më pak se në disa pozita tjera”.

Sipas tij, lista fillestare ka qenë me 26 lojtarë ndërsa është reduktuar me 23 lojtarë shkaku i lëndimeve të disa lojtarëve.

Sa i përket ndeshjeve kundër Irlandës së Veriut dhe Qipros Greke, Giresse ka thënë se mënyra e paraqitjes së Kosovës do të varet nga rivalët, por ka theksuar se do të jetë i detyruar të bëjë ndryshime për shkak të mungesave.

Paraprakisht, skuadra përfaqësuese ka mbajtur seancën e radhës stërvitore në Kampin Nacional në Hajvali.

Më 24 shtator “Dardanët” do të përballen me Irlanden e Veriut në “Windsor Pak” në Belfast në ndeshjen e kthimit, ndërsa ndeshjen e parë Kosova e ka fituar kundër Irlandës së Veriut me rezultat 3-2.

Lojën e dytë ekipi i udhëhequr nga Alain Giresse do ta zhvillojë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë më 27 shtator kundër Qipros Greke. Edhe ndaj kësaj përfaqësuese, “kaltër e verdhët” fituan si mysafirë me rezultat 0-2.

Ndeshjet janë të vlefshme në kuadër të Grupit 2 të Ligës C të Kombeve ku Kosova me 6 pikë ndodhet e dyta në tabelë pas Greqisë e cila ka 12 pikë.

AA