Euforia e Kupës së Botës në Katar ka filluar të ndihet gjithandej. Një pjesë e kombëtareve vetëm se kanë arritur kryeqytetin Doha. Por, edhe kategoria më e rëndësishme për të cilën zhvillohet kjo garë, tifozët po i bëjnë përgatitjet e fundit për t’u nisur drejt Katarit.
Futbolldashësit nga Kroacia dhe Serbia kanë paralajmëruar se nuk do të mungojnë në fazën e parë të garës.
Deri në 2.000 kroatë në Katar
Për dallim nga garat e kaluara për Kupën e Botës ose atë Evropiane, kësaj radhe në Katar pritet të ketë një numër më të vogël të tifozëve të publikut kroat. Bazuar në të dhënat e Federatës së Futbollit të Kroacisë deri më tani nga FIFA janë blerë rreth 2.000 bileta për ndeshjet e Kroacisë në rrethin e parë. Arsyet për këtë numër të biletave të shitura ndërlidhet me çështjen e prenotimit të hoteleve, të cilat në masë të madhe tashmë janë zënë.
Por, ky numër i tifozëve kroatë mund të rritet në rast se skuadra kroate në futboll e kalon fazën e grupeve.
Kroacia në këtë garë do të ndeshet me Marokon, Kandadën dhe Belgjikën.
Mbi 12 mijë tifozë për Serbinë
Në tri ndeshjet në Doha do të jenë së paku 12.500 persona që do të bëjnë tifo për ekipin e Serbisë në futboll. Federata e Futbollit e Serbisë është shprehur se interesi për këtë botëror është i lartë si asnjëherë më parë.
Sipas të dhënave të kësaj federate, për ndeshjen mes Brazilit dhe Serbisë janë shitur 4.433 bileta, për ndeshjen kundër Kamerunit 3.783 dhe për ndeshjen me Zvicrën 3.796 bileta.