Klubit të futbollit Manchester United mesatarisht i është akorduar një penallti çdo 299 minuta, gjë që e bën klubin që më së shpeshti i është akorduar një goditje nga pika e bardhë.
Penalltia është dënimi më i rëndë për atë që bën një kundërvajtje në futboll, ndërsa për atë që i akordohet penalltia është një mundësi për të tundur rrjetën e kundërshtarit me një goditje direkte nga 11 metra.
Nëse një situatë është penallti ose jo mbetet dilema e përjetshme e adhuruesve të futbollit. Në të njëjtën kohë, dhimbje koke e zakonshme është edhe për ata që e ndajnë drejtësinë e ndeshjeve, arbitrit.
Publiku i futbollit shpesh flet për klube të cilave arbitrit janë më të prirur për t’u dhënë penallti, si dhe për ato klube që shpesh dëmtohen nga një vlerësim i gabuar i arbitrit.
Tifozët e klubit anglez Manchester United rregullisht dëgjojnë se klubi i tyre ka lojtarin e 12-të në fushë në formën e arbitrit, për shkak të situatave të shpeshta në të cilat klubit i akordohet një penallti.
Çfarë zbulon analiza e CIES Football Observatory?
Se ajo me të vërtetë është ashtu tregon edhe analiza e CIES Football Observatory, ku zbulohet se nga sezoni 2018/19 deri më 10 janar të vitit 2022 klubi i “djajve të kuq” është klubi që më së shumti i është akorduar penallti, krahasuar me klubet e pesë ligave më të mëdha evropiane të futbollit (ligat e futbollit në Angli, Gjermani, Spanjë, Itali dhe Francë).
Sipas analizave, klubit Manchester United mesatarisht i është akorduar një penallti çdo 299 minuta. Nëse krahasohet me klubet e tjera të Premierligës, rivali lokal Manchester City ka pritur mesatarisht 434 minuta për një penallti, ndërsa Liverpool ka pritur 574 minuta.
Klubet në Premierligën angleze që më së shumti kanë pritur për një penallti janë Burnley (1.474 minuta), Newcastle (998 minuta) dhe Wolves (998 minuta).
Klubi francez Paris Saint-Germain (PSG) është klubi i dytë nga “pesëshja më e madhe” për sa i përket penalltive të akorduara, respektivisht këtij klubi i akordohet një penallti çdo 305 minuta lojë. Pas PSG-së pasojnë katër klube nga liga italiane, Lacio (315 minuta), Inter (315 minuta), Milan (324 minuta) dhe Juventus (324 minuta).
Midis klubeve të futbollit që më së shumti u është akorduar penallti dhe që i përkasin ligave të “pesëshes më të madhe” janë edhe klubet franceze Olympique Lyonnais (354 minuta) dhe Lille (357 minuta).