Në kuadër të ndeshjeve të para të xhiros së 3-të për kualifikime në Ligën e Konferencës skuadrat shqiptare kanë arritur të sigurojnë fitore të rëndësishme.
Partizani i Tiranës ka fituar me shifrat 2-1 në Letoni përballë Valmieras dhe ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt play-off të Ligës së Konferencës.
Ka qenë një fitore e vuajtur e të kuqve të cilët kishin vështirësi të dilnin në lojën e tyre në pjesën e parë ku vendasit kishin kontrollin e lojës dhe kishin rastet më të mira teksa edhe gjetën rrjetën me një gjuajtje të Gustavo Silvas.
Por, në pjesën e dytë, Zekiç ndryshoi lojën e të tijve dhe Partizani krijoi më shumë lojë e raste, duke rrezikuar disa herë katërkëndorin e vendasve. Cara ishte ai i cili vendosi baraspeshë në shifra, ndërsa më pas Rrapaj me një goditje nga distanca përfitoi nga rrëshqitja e portierit për të shënuar golin e përmbysjes 2-1.
Po ashtu, edhe kampioni i Kosovës, Ballkani, ende nuk di për humbje në kualifikimet e Ligës së Konferencës, ku dje e mposhti skuadrën e Lincoln Red Imps të Gjibraltarit.
Gjithçka u vendos brenda tri minutave, ku fillimisht Meriton Korenica shënoi për 1:0 në minutën e 59′, kurse Lorenc Trashi thelloi epërsinë në 2:0 në minutën e 62′ të ndeshjes.
Ndërkohë Struga Trim Lum regjistroi edhe një fitore tjetër në garat europiane në kuadër të xhiros së tretë eliminatore të Ligës së Konferencës, kundër kampionëve të Luksemburgut, Swift Hesperange.
Rezultati përfundimtar i këtij takimi ishte 3:1, në të cilën fjalën kryesore e pati sulmuesi kryesor i Strugës, Besart Ibraimi, që shënoi që të tre golat.