Ekipi futbollistik i Kosovës, Ballkani, ka shënuar fitore me rezultatin 2:0 ndaj ekipit kroat Dinamo Zagreb në kuadër të Grupit C në Ligën e Konferencës.
Ky ishte dueli i dytë i fazës grupore dhe i pari si vendas për kampionin e Kosovës në futboll, Ballkanin, që u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Ballkani kaloi në epërsi ndaj Dinamo Zagrebit në minutën e 44-të nëpërmjet sulmuesit të krahut, Almir Kryeziu. Goli i Kryeziut fillimisht u anulua nga arbitri kryesor për pozitë jashtë loje, por vendimin e tij e shfuqizoi VAR-i pas rishikimit.
Ballkani e dyfishoi epërsinë ndaj ekipit kroat për rezultat 2:0 në pjesën e dytë, në minutën e 84-të nëpërmjet sulmuesit Walid Hamidi, i cili u inkuadrua në pjesën e dytë.
Ballkani ndeshjen e parë e humbi në muajin shtator nga ekipi i Viktoria Plzenit në Çeki, ndërsa Dinamo mposhti Astanën.
Aktualisht Ballkani ndodhet në pozitën e dytë me 3 pikë në tabelën e Grupit C, aty ku kryeson Viktoria Plzen me 6 pikë.