Pasditen e sotme në Monaco hidhet shorti për sezonin e ri të Ligës së Kampionëve, duke nisur kështu një tjetër sezon të kompeticionit më të rëndësishëm për klube në futboll.
Por, duke filluar nga ky vit, Liga e Kampionëve do të jetë më ndryshe. Pas 33 vitesh, do të prezantohet një format i ri. Ja të gjitha ndryshimet.
S’ka më grupe
Liga e Kampionëve do ta lërë pas vetes formatin në grupe, i cili filloi të zbatohet nga viti 1991, dhe tani e tutje do të ketë format lige.
Secili ekip do të luaj ndaj 8 kundërshtarëve të ndryshëm, 4 në shtëpi dhe 4 jashtë.
Të gjitha pikët llogariten në një tabelë unike ku renditen të gjithë pjesëmarrësit.
Klubet do të ndahen në 4 vazo me nga nëntë ekipe, të ndara sipas arritjeve sportive në vitet e fundit, ndërsa secili klub do të përballet me nga 2 kundërshtarë prej secilës vazo.
36 klube
Më shumë klube futbolli do të kenë rastin të përjetojnë ato netët e bukura të Ligës së Kampionëve. UEFA vendosi që formati i ri të ketë 36 në vend se 32 klube.
Pas përfundimit të kualifikimeve paraprake këtë javë, tashmë dihen të gjithë pjesëmarrësit për këtë sezon:
Real Madridi, Manchester City, Bayern München, Paris Saint-Germain, Liverpool, Inter, Borussia Dortmund, RB Leipzig, Barcelona, Bayer Leverkusen, Atletico Madrid, Atalanta, Juventus, Benfica, Arsenal, Club Brugge, Shakhtar Donetsk, AC Milan, Feyenoord, Sporting, PSV Eindhoven, Dinamo Zagreb, Salzburg, Lille, Crvena Zvezda, Young Boys, Celtic, Slovan Bratislava, Monaco, Sparta Praga, Aston Villa, Bologna, Girona, Stuttgart, Sturm Graz dhe Stade Brestois.
Më shumë ndeshje
Numri i përgjithshëm i ndeshjeve që luhen në një sezon të Ligës së Kampionëve do të rritet për më shumë se 50% - gjithsej 187 në vend se 125. Më shumë ndeshje – më shumë spektakël për tifozët. Por, gjithashtu, më shumë të hyra nga reklamat – më shumë fitim për UEFA-në.
Do të thotë, sistemi kualifikues në këtë format lige do të funksionojë kështu: 8 ekipet e para do të kualifikohen direkt në fazën tjetër. Ekipet nga vendi i 9-të deri në vendin e 24-t do të luajnë mes vete për 8 vendet e tjera, ndërsa 12 ekipet e fundit në tabelë do të eliminohen.
Ndeshjet për fazën e parë fillojnë nga 17 shtatori dhe zhvillohen në intervale të ndryshme deri më 29 janar.