Sot në Nyon është hedhur shorti për çerekfinalet e Ligës së Kampionëve të UEFA-s dhe ndër më interesantet është ndeshja mes klubit më të trofeshëm evropian Real Madridit dhe kampionit aktual të kontinentit të vjetër, Manchester City.
Dueli mes “mbretërve” dhe “qytetarëve” do të jetë edhe ripërsëritja e gjysmëfinales së sezonit të kaluar të kompeticionit më të fortë të futbollit në Europë.
Natyrisht, interesante janë edhe çiftet e tjera çerekfinale, të cilat garantojnë emocione të mëdha në betejën për gjysmëfinale. Kështu do të takohen Arsenali dhe Bayern, Atletico Madrid dhe Borussia Dortmund dhe Paris Saint-Germain e Barcelona.
Ndeshjet e para të çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve do të luhen më 9 dhe 10 prill, ndërsa ato të kthimit më 16 dhe 17 prill.
Ndërsa ndeshjet e para të gjysmëfinaleve janë planifikuar për 30 prill dhe 1 maj, ndërsa ato të kthimit më 7 dhe 8 maj.
Finalja e edicionit të këtij sezoni të Ligës së Kampionëve është planifikuar të zhvillohet më 1 qershor në stadiumin Wembley të Londrës.