Dy futbollistët e kombëtares së Shqipërisë, Ylber Ramadani dhe Taulant Seferi, kanë dalë para mediave në prag të ndeshjes me Çekinë, për kualifikueset e kampionatit europian “Gjermani 2024”.
Ata e kanë vlerësuar maksimalisht kundërshtarin dhe e dinë rëndësinë e këtij dueli, që do të luajnë në “Air Albania” më 12 tetor prej orës 20:45.
Mesfushori Ramadani theksoi se duhet të bëjnë më të mirën në fushë dhe të kërkojnë fitoren, pasi këtë herë luajnë në shtëpi dhe do të kenë edhe përkrahjen maksimale të tifozëve. Ai kërkon prej tyre që të jenë të kujdesshëm dhe të shmangin dënimin, pasi u duhen edhe për ndeshjet në vazhdim.
Në pyetjen nëse do të tentojnë diçka më shumë me Çekinë, ose do të bëjnë llogari për në nëntor Ramadani u përgjigj se nuk do të kursehen, por do ta japin maksimumin.
“Normalisht, ne do të hyjmë në fushë për më shumë, pasi kemi tri finale dhe kjo është njëra prej tyre. Do të hyjmë të japim maksimumin, pasi e dimë çfarë na pret po e morëm rezultatin pozitiv”, u shpreh Ylber Ramadani.
Ndërkaq, për sulmuesin kuqezi të Kombëtares, Taulant Seferi, konkurrenca në ekip nuk është aspak problem. Djaloshi shqiptar vlerëson grupin kuqezi, ndërsa thekson se skuadra është e fortë, e karikuar dhe e fokusuar maksimalisht për ‘finalen’ ndaj Çekisë.
Taulant Seferi nënvizon gjithashtu se Çekia është një skuadër shumë e fortë, ndërsa premton nga ana tjetër se kuqezinjtë do të japin maksimumin e tyre ashtu sikurse në ndeshjet e tjera.
“Shqipëria futet në lojë për të marrë maksimumin. Besoj që ne kemi grupin e duhur, jemi të karikuar dhe të fortë”, u shpreh Taulant Seferi.