Giresse: Grupi na e jep ambicien për kualifikim në Euro 2024.     /Foto: AA

Trajneri i përfaqësues së Kosovës në futboll, Alain Giresse, ka thënë se synon kualifikimin në Kampionatin Evropian 2024 që do të mbahet në Gjermani.

Në konferencën për media, përzgjedhësi Giresse ka bërë të ditur se për dy ndeshjet e para kualifikuese gjatë këtij muaji, kundër Izraelit dhe Andorrës, ka ftuar 26 futbollistë, ndërsa do të mungojë Elbasan Rashani për shkak të lëndimit dhe në vend të Uran Bislimit është ftuar Blendi Idrizi.

Giresse ka thënë se grupi ku garon Kosova nuk është aq i vështirë dhe kjo i jep atij bindjen se mund të sigurojnë kualifikimin.

"Në përgjithësi, ndodhemi në një grup i cili nuk është i vështirë, por kemi ekipe që nuk duhet nënçmuar. Por, ky grup na jep ambicie për të synuar kualifikimin në Evropian. Kjo është pikëpamja ime për grupin dhe në lidhje me situatën në të cilën ndodhemi", ka thënë Giresse.

Përzgjedhësi i përfaqësues kosovare në prag të dy ndeshjeve tha se nuk dëshiron të flasë për stilin e lojës së kombëtares, ngase "nuk duam t’ua tregojmë kundërshtarëve planin tonë", por tha se Kosovës i duhen lojtarë me eksperiencë.

"Na duhen lojtar me eksperiencë, lojtarët e rinj nuk mund t’i provojmë në kualifikuese, pasi nuk kemi kohë as mundësinë ta bëjmë këtë", tha Giresse.

Duke folur për kundërshtarin e parë, Izraelin, trajneri i Kosovës tha se Izraeli ka një ekip të mirë në aspektin teknik dhe "një ekip që e bën një lojë të bukur dhe që gjithmonë mundohet të ndërtojë diçka".

Kosova bën pjesë në Grupin I, së bashku me Zvicrën, Izraelin, Rumaninë, Bjellorusinë dhe Andorrën.

Ndeshjen e parë në kuadër të fazës kualifikuese "Euro 2024", Dardanët e zhvillojnë më 25 mars në Tel-Aviv kundër Izraelit, derisa ndeshjen e dytë më 28 mars, në stadiumin "Fadil Vokrri" në Prishtinë kundër Andorrës.

TRT Balkan / agjencitë