Në hapje të Kampionatit Evropian EURO 2024, lojtarët e përfaqësues së Gjermanisë mposhtën Skocinë me rezultat 5:1.
Kampionati Evropian i 17-të radhazi i futbollit ka nisur me ndeshjen e grupit “A” mes Gjermanisë dhe Skocisë në “Allianz Arena” të Mynihut, dhe përzgjedhja vendase ka shënuar fitore bindëse që në hapje.
Gjermania kaloi në epërsi me golin e Florian Wirtz në minutën e 10-të, e më pas Jamal Musiala në të 19-tën dhe Kai Havertz në fund të pjesës së parë shënoi për 3:0.
Gjermanët rritën epërsinë e tyre në minutën e 68-të me golin e Niclas Fullkrug. Në minutën e 87-të, skuadra skoceze arriti të shënoj për 4:1 me autogolin e Antonio Rudiger. Por skuadra gjermane e rriti rezultatin në 5:1 në minutën e tretë të pushimeve me golin e Emre Can që ishte rezultati përfundimtar i ndeshjes.
Skocia humbi një lojtar në minutën e 44-të pasi Ryan Porteous fitoi një karton të kuq direkt.
Programi i plotë nis të shtunën me tre ndeshje në ditë. Hungaria dhe Zvicra në grupin “A” do të luajnë nga ora 15:00, më pas në grupin “B” takohen Spanja dhe Kroacia në orën 18:00 dhe Italia dhe Shqipëria në orën 21:00.
Kampionati europian i futbollit luhet nga 14 qershori deri më 14 korrik në dhjetë qytete të Gjermanisë dhe është përzgjedhja vendase që mban rekorde të shumta të kampionateve europiane. Së bashku me Spanjën, Gjermania ka fituar më së shumti EURO. Këto dy seleksione ishin tre herë kampione të Evropës.