Qyteti ikonik turk Istanbuli do të mirëpresë finalen e madhe të Ligës së Kampionëve këtë vit, për herë të dytë në historinë e këtij kompeticioni.
Autoritetet e shtëpisë evropiane të futbollit – UEFA-së – dhe nikoqirët turq po bëjnë përgatitjet e fundit për një ndër eventet më të rëndësishme dhe më të ndjekura sportive.
Ekipi anglez Manchester City dhe italianët Inter do të përballen më 10 qershor për trofeun më prestigjioz për klubet. City kërkon titullin e parë në historinë e tyre, pasi humbën finalen e vitit 2021 kundër Chelseat.
Interi, nga ana tjetër, kërkon titullin e katërt në finalen e 6-të gjithsej në historinë e klubit. Ekipi nga Milano fitoi trofeun në vitin 2010 për herë të fundit.
Stadiumi Olimpik “Ataturk” nikoqir i finales
Finalja do të luhet në Stadiumin Olimpik “Ataturk”, stadiumi më i madh i Türkiyes dhe një nga objektet më elitare sportive të vendit. Stadiumi u inagurua në vitin 2002 dhe ka kapacitet për të pranuar rreth 72.000 spektatorë.
Dy ekipet finaliste, Manchester City dhe Inter do të pranojnë nga 19.926 bileta, për t’i shpërndarë për përkrahësit e tyre më lojalë. Pjesa tjetër e biletave është nxjerrë në shitje gjatë muajit prill nga UEFA-ja. Për shkak të interesit të madh, fansat duhej të aplikonin në ueb-faqen e UEFA-s, ndërsa fituesit e biletave u përcaktuan me short.
Biletat u ndanë në 4 kategori, varësisht vendndodhjes së ulëseve në stadium.
Kategoria 1 kushton 690€, Kategoria 2 – 490€, Kategoria 3 – 180€ dhe Kategoria 4 – 70€. Bileta të posaçme janë ndarë edhe për njerëz me nevoja të veçanta dhe kushtojnë 70€ dhe përfshijnë një biletë shoqëruese falas.
“E treta – e vërteta” për herën e dytë
Istanbul duhej të ishte nikoqir i finales së vitit 2020 në Ligën e Kampionëve. Por, për shkak të pandemisë së Covid-19, finalja u zhvendos në Lisbonë të Portugalisë.
UEFA përcaktoi Istanbulin nikoqir për vitin e ardhshëm, në vitin 2021, por përkeqësimi i pandemisë zhvendosi sërish finalen në Porto të Portugalisë.
Përfundimisht, Istanbulit iu përcaktua finalja e stinorit 2022/23.
Kjo do të jetë hera e dytë që finalja e Ligës së Kampionëve do të luhet në Istanbul. Stadiumi Ataturk ishte nikoqir i finales më 25 maj 2005 herën e parë, finale që mbahet mend për fitoren e Liverpoolit me penallti pasi u rikthye nga disavantazhi 3-0 ndaj Milanit, duke përfunduar ndeshjen e rregullt me rezultat 3-3.
Çfarë të mos humbisni derisa jeni në Istanbul?
Organizata evropiane e futbollit, UEFA, në faqen e saj zyrtare ka publikuar një udhërrëfyes rreth finales së Istanbulit. Mes të tjerash, UEFA rekomandon tifozët që do të marrin pjesë në finale që të shijojnë maksimumin e qytetit perlë të Türkiyes.
“Mirë se vini në Istanbul - një perlë me të vërtetë ikonë globale. Duke përfshirë dy kontinente, dy dete, perandori të lashta dhe një shkrirje të pasur të kulturave, ushqimit dhe traditave evropiane dhe aziatike, ka shumë për t’u parë në Istanbul”, thuhet në udhërrëfyesin e UEFA-s.
Shtëpia evropiane e futbollit rekomandon të vizitohet Çarshia e Madhe, Xhamia Haya Sofia (Ayasofya), Pallatin Topkapi, Xhaminë e Kaltër (Xhaminë Sultan Ahmet) dhe Cisternën e Bazilikës.
Gjithashtu rekomandohet të vizitohen Kulla e Gallatës dhe pjesën e Ortaköyit. Me theks të veçantë rekomandohet të vizitohet Bosfori, përfshirë pamjet e mahnitshme të perëndimit të diellit dhe dritat në Bosfor.
Sa u përket ushqimeve, rekomandohet të provoni mezenë, Menemen, Bakllavanë dhe qoftet e qebapët e Istanbulit, drejtpërdrejt nga kuzhina e pasur tradicionale turke.