Kupa e Botës në Katar po hyn në fazën finale, por ende pa përfunduar dihet senzacioni i këtij kompeticioni. Është Maroku e papritura e këtij kampionati, ekipi afrikanoverior që eliminoi gjigantët si Belgjika, Spanja e Portugalia, në rrugën drejt sigurimit të gjysmëfinales. Përskaj tyre, katërshen e fundit e përbëjnë edhe Kroacia, Argjentina e Franca.
Argjentina dhe Franca kërkojnë titullin e tretë
Katër gjysmëfinalistët e këtij kompeticioni bartin gjithsej 4 tituj kampion të Botës. Nga dy i kanë Argjentina dhe Franca, ndërsa Kroacia dhe Maroku do të tentojnë tu dhurojnë gëzimin e parë kombeve të tyre.
Franca vjen si kampion aktual, në tentim për ta mbrojtur titullin e vitit 2018. "Gjelat" e kishin fituar titullin e parë në vitin 1998, si organizator në tokën e tyre.
Argjentina nga ana tjetër ka kohë që nuk i është gëzuar këtij suksesi. Reprezentacioni amerikanojugor fitoi titullin e parë në vitin 1978, ndërsa kanë kaluar plot 36 vjet nga titulli i fundit, më 1986.
Një prej lojtarëve më të mirë të të gjitha kohërave, Lionel Messi, do të tentojë të arrijë finalen e tij të dytë dhe titullin e parë në Kupën e Botës, në Botërorin e tij të fundit të karrierës. Argjentina e udhëhequr nga Messi u mposht nga Gjermania në finalen e vitit 2014.
Maroku, ekipi i parë afrikan në gjysmëfinale
Me fitoren e madhe kundër Portugalisë në çerekfinale, Maroku u bë reprezentacioni i parë afrikan dhe arab që kapi gjysmëfinalen e Botërorit. Gjenerata e artë e Marokut do të ketë detyrë të vështirë kundër Francës në gjysmëfinale, por e vështirë dukej edhe çdo ndeshje e kaluar, e fituar nga marokenët.
Kroacia nga ana tjetër, gjithashtu nuk ishte në mesin e favoritëve kryesorë para fillimit të këtij Botërori. Por ballkanasit po dëshmojnë vazhdimësi me punën e tyre të mirë në futboll, duke tentuar finalen e dytë të njëpasnjëshme. Para 4 vjetësh u mundën nga Franca 4-2 në finalen e madhe. Kësaj radhe duhet të mposhtin Argjentinën në rrugën drejt finales.
11 Dhj 2022
Katër pretedentë, një fron: Ngushtohet gara për Kupën e Botës
Gara për Kupën e Botës në Katar ka hyrë në fazën finale, me 4 kombëtare që synojnë të kthehen me titullin më prestigjioz në futboll. Por nga sa tituj kanë gjysmëfinalistët?
TRT Balkan
Lajme të ngjashme
Artikujt në këtë kategori
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore
Gjykata Speciale kufizon kontaktet për Thaçin, Veselin dhe Selimin
Ky vendim, siç njofton Gjykata Speciale, vjen si përgjigje ndaj përpjekjeve për të ndërhyrë te dëshmitarët e për të penguar dëshmitë e tyre, dhe kërcënimeve të mëtejshme ndaj integritetit të procesit në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët.