Kombëtarja shqiptare e futbollit do të jetë në grupin K të eliminatoreve të Botërorit 2026, ku do të përballet me përfaqësueset e Anglisë, Serbisë, Letonisë dhe Andorës.
Në shortin që u hodh sot në Zyrih të Zvicrës për eliminatoret e Kupës së Botës 2026 në futboll për zonën e Evropës, goglat e pozicionuan Kombëtaren shqiptare në grupin K, ku do të përballet me përfaqësueset e Anglisë, Serbisë, Letonisë dhe Andorës.
Vendi i parë i grupit kualifikohet drejtpërdrejt, ndërsa vendi i dytë shkon në “play off”.
Në total ishin 54 skuadra, që u shortuan në 12 grupe të ndryshme. Gjashtë grupe do të jenë me nga katër skuadra dhe gjashtë grupet e tjerë me nga pesë.
Ndeshjet do të fillojnë nga muaji mars 2025 dhe do të përfundojnë së bashku me fazën “play-off” në mars 2026.
Ekipi përfaqësues i Kosovës është pozicionuar në grupin B kualifikues, së bashku me përfaqësueset e Zvicrës, Sllovenisë dhe Suedisë.
Në Botërorin 2026 do të marrin pjesë 16 ekipe nga Evropa.
Kupa e Botës 2026 do të zhvillohet në Amerikën e Veriut. 11 stadiume pritëse do të jenë në ShBA, 3 në Meksikë dhe 2 në Kanada. Për herë të parë Kupa e Botës do të jetë në formatin e zgjeruar, me 48 skuadra në fazën finale, aty ku rriten shanset e Shqipërisë për një vend në grupe.
Gjithsej do të jenë 104 ndeshje, me finalen që do të luhet në Nju Jork, në stadiumin e Nju Xhersit.
Turneu do të fillojë më 11 qershor 2026 dhe do të mbyllet më 19 korrik 2026 me finalen e madhe.