Manchester City - Inter, finalja e madhe e Ligës së Kampionëve.   / Foto: AA

Mësohet edhe finalisti i dytë i finales së Ligës së Kampionëve në futboll.

Falë suksesit 4-0 ndaj Real Madridit në “Etihad Stadium” pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë, skuadra e Manchester Cityt prek finalen e Evropës, e dyta në tri vitet e fundit, me ëndrrën për të ngritur në qiell kupën “me veshë të mëdhenj”.

Skuadra e Pep Guardiolës do të sfidojë Interin e Inzaghit në finalen e turnetut më të madh ekipor.

Në ndeshjen e zhvilluar mbrëmë kishim dominim total të anglezëve ndaj spanjollëve i cili nisi që nga minuta e parë e ndeshjes dhe i cili solli dy gola brenda pjesës së parë, realizues i të cilave ishte Bernardo Silva në minutat 23’ dhe 37’.

Në pjesën e dytë skuadrat zhvilluan lojë me ritëm më të ulët, por që skuadra e Pep Guardiolas vazhdoi ta administronte takimin, derisa në minutën e 76’ i dhanë goditjen fatale mysafirëve duke shënuar nëpërmjet Akanjit i cili u ndihmua edhe nga mbrojtësi i Real Madridit Eder Militao, ndërsa rezultatin final 4-0 e vulosi argjentinasi Alvarez në minutat shtesë të ndeshjes.

Rezultati i së mërkruës pa dyshim është edhe një hakmarrje e Guardiolës ndaj Realit të Ancelotit që sezonin e kaluar spanjollët përmbysën anglezët në gjysmëfinale për të shkuar në finale dhe për të triumfuar ndaj Liverpoolit.

Finalja e Istanbulit mes Manchester City dhe Interit do të luhet më 10 qershor.


TRT Balkan