Maqedonia Veriut dhe Shqipëra në një rang me Andorrën e San Marinon.     Foto: AP  

Suksesi i një klubi të futbollit në arenën ndërkombëtare paraqet jo vetëm suksesin e tyre, por edhe të ligës vendase.

UEFA-ja sapo ka rifreskuar dhe publikuar renditjen e re të ligave evropiane të futbollit, ku për vite me radhë vazhdon të prijë Premier Liga angleze.

Kjo ligë ka lënë mbrapa ligat e Spanjës, të Gjermanisë dhe të Italisë, që gjithashtu me vite të tëra përbëjnë top 4-shen e UEFA-së.

Por, cila është renditja e ligave të Ballkanit sipas listës së re të UEFA-së, jua mëson TRT Balkan nëpërmjet artikullit në vazhdim.

Super Liga e Kosovës në treshën e parë të rajonit

Ndonëse është liga më e re e pranuar në UEFA, Super Liga e Kosovës falë suksesit të Ballkanit në Europa Conference League, këtë vit arriti të grumbullojë 2.875 pikë ose 11.041 pikë në pesë vitet e fundit, dhe renditet në vendin e 33-të të listës së UEFA-së, gjegjësisht në vendin e tretë në rajon.

Liga serbe më e forta në rajon

Liga serbe llogaritet ndër ligat më të mira në Ballkan dhe më gjerë.

Vetëm gjatë këtij viti nga suksesi i klubeve si Cërvena Zvezda dhe Partizani të cilat ishin pjesë e grupeve të UEFA Europa League dhe UEFA Europa Conference League, Liga serbe arriti të grumbullojë 4.625 pikë, gjegjësisht 31.625 pikë brenda pesë viteve, dhe për momentin renditet në pozitën e 11-të të ligave më të forta në Evropë.

Liga kroate e dyta

Pas ligës serbe, vjen ajo kroate. Nga kjo ligë si zakonisht në arenën ndërkombëtare mund t’i shohim klubet si Dinamo Zagrebi, Hajduki apo Rijeka.

Suksesin më të lartë nga gjitha klubet e Ballkanit këtë vit e kishte pikërisht skuadra e Dinamo Zagrebit, e cila arriti të futet në grupet e kompeticionit më të fortë evropian, asaj të UEFA Champions League, madje duke luajtur me klube të njohura si Milani dhe Chelsea.

Këtë vit Liga kroate është vlerësuar me 3.375 pikë, ose gjithsej 25.400 pikë brenda pesë viteve, duke u renditur në vendin e 18-të, të ligave të Evropës.


BeH në vendin e katërt

Liga e Bosnjë e Hercegovinës radhitet në vendin e 41-të sipas radhitjes së UEFA-së me 2.000 pikë të grumbulluara për këtë vit, gjegjësisht 9.750 pikë për pesë vitet e fundit.

Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi thuajse të fundit në Evropë

Aventurat e shkurtra të klubeve të Shqipërisë, të Maqedonisë së Veriut dhe të Malit të Zi në turnet evropiane të futbollit kanë bërë që ligat përkatëse të këtyre vendeve të radhiten thuajse të fundit në Evropë.

Shqipëria këtë vit ka grumbulluar vetëm 875 pikë, ndërsa në pesë vitet e fundit 6.250 pikë, dhe liga e saj renditet e 49-ta në Evropë.

Më pas vjen liga e Maqedonisë së Veriut e cila këtë vit u përfaqësua nga skuadra e Shkupit në kualifikimet e tri garave të mundshme, megjithatë ishte e pafat. Kjo ligë këtë vit ka marrë 1.625 pikë, ndërsa 5.500 pikë gjatë pesë viteve, duke u renditur në vendin e 52-të.

E fundit nga rajoni renditet liga e Malit të Zi, me 1.000 pikë të grumbulluara për këtë vit, ndërsa 4750 pikë në pesë vitet e fundit. Ndërsa, sipas rangimit të UEFA-së, liga malazeze radhitet e 54-ta.

Më keq se kjo në Evropë vetëm liga e San Marinos, e fundit sipas UEFA-së.

Kriteret e përllogaritjes së koeficientit (pikëve) të Ligave

Koeficientët e Ligave bazohen në rezultatet e klubeve të secilës ligë në pesë sezonet e mëparshme të UEFA Champions League, UEFA Europa League dhe UEFA Europa Conference League. Renditjet përcaktojnë numrin e vendeve të caktuara për një ligë (vend) në garat e ardhshme të UEFA-s për klube.

Koeficienti llogaritet duke përpunuar një rezultat mesatar: duke pjesëtuar numrin e pikëve të marra, me numrin total të klubeve që përfaqësojnë një ligë në garat e klubeve të atij sezoni. Shifra që rezulton më pas llogaritet me rezultatet e katër sezoneve të mëparshme për të llogaritur koeficientin. Aty ku dy liga kanë të njëjtin koeficient, për bazë merret koeficienti (pikët) më të larta në sezonin e fundit, dhe ajo ligë renditet më përpara në listën e UEFA-së.

Këto të dhëna do të përditësohen pas çdo raundi të ndeshjeve të konkurrencës për klube të UEFA-s.

Për momentin garat e tri garave evropiane të UEFA-së janë në pushim deri në muajin shkurt, si rezultat i pauzës së kampionatit botëror që pritet të fillojë me 20 nëntor në Katar.

TRT Balkan