Skuadrat e kualifikuara në çerekfinale të Ligës së Kampionëve kanë mësuar kundërshtarët e tyre pas shortit të mbajtur në Nyon të Zvicrës.
Kampioni aktual evropian, Real Madrid, do të përballet me skuadrën angleze, Chelsea.
Po ashtu, përballje tejet e fortë do të jetë edhe ajo mes kampionit anglez dhe gjerman, Manchester City dhe Bayern Munich.
Ndërkaq, ky short ka prodhuar edhe derbi italian, ku skuadra e Milanit do të përballet me liderin aktual të Serie A, Napolin.
Ndeshja e fundit e shortit të çerekfinales do të jetë ajo ndërmjet Interit dhe Benfikës.
Fituesi i përballjes Milan-Napoli në gjysmëfinale do të ndeshet me fituesin e ndeshjes Inter-Benfica.
Kurse fituesi i ndeshjes Real Madrid-Chelsea në gjysmëfinale do të ndeshet me fituesin e ndeshjes Manchester City-Bayern Munich.
Ndeshjet e para zhvillohen të martën, më 11, dhe të mërkurën më 12 prill, ndërsa ato të kthimit më 18 dhe 19 prill. Gjysmëfinalet do të zhvillohen më 9/10 dhe 16/17 maj, ndërsa finalja të shtunën, më 10 qershor.