Rey Manaj, vendimtar me golat e tij për Sivasspor.     /Foto: EMS Yapı Sivasspor/Facebook

Futbollisti i kombëtares së Shqipërisë, Rey Manaj, i cili luan për klubin e Superligës turke EMS Yapı Sivasspor, po shkëlqen me paraqitjen e tij të suksesshme në shënimin e golave.

Futbollisti 27-vjeçar, i cili nënshkroi me bardhekuqtë në fillim të sezonit, merr përsipër barrën e shënimit të golave për skuadrën e tij.

Rey Manaj ka shënuar 18 nga 43 golat e shënuar nga EMS Yapı Sivasspor në ndeshjet zyrtare këtë sezon.

Ai shënoi 18 gola në 26 ndeshje zyrtare këtë sezon. 14 prej tyre i shënoi në 23 ndeshje në Superligë, ndërsa në 3 ndeshje në Kupën e Türkiyes shënoi 4 gola.

Futbollisti shqiptar ka shënuar edhe ndaj kundërshtarëve të fortë si Fenerbahçe, Beşiktaş dhe Trabzonspor në ligë.

Manaj me 14 gola të shënuara është në vendin e dytë së bashku me Mauro Icardin nga Galatasaray dhe Mame Thiam nga Pendikspor ndërsa në krye të tabelës së golashënuesve më të mirë të Superligës është sulmuesi boshnjak i Fenerbahçes, Edin Dzeko me 18 gola.

Lëvdata për Manajn nga trajneri i Sivassporit

Trajneri i Sivassporit, Bülent Uygun, në një deklaratë për Anadolu tha se Manaj që nga dita kur është bërë pjesë e ekipit ka performuar shumë mirë.

"Ka që e ndjekin dhe e kërkojnë atë nga Evropa, Spanja, Italia dhe veçanërisht nga Arabia Saudite. Do ta shohim në fund të sezonit. Ai do të vazhdojë të kontribuojë për ekipin duke rritur performancën e tij, duke u përmirësuar më tej dhe shpresojmë të shënojë gola", tha Uygun duke falënderuar ish-trajnerin e Sivassporit, Servet Çetin i cili mundësoi transferimin e Manajt në klub.

Sipas tij, Manaj është shumë i lumtur në klub. "Shqiptarët kanë gjithmonë dëshirë për të luajtur dhe për të shënuar gola. Shpresoj se ai do të jetë golashënuesi më i mirë në fund të sezonit", u shpreh trajneri turk.

TRT Balkan / agjencitë