Mbrojtësi i Real Madridit dhe Gjermanisë, Antonio Rüdiger, ka ngritur kallëzim penal kundër gazetarit Julian Reichelt për krahasimin e një postimi të futbollistit për muajin e Ramazanit me grupin terrorist DEASh.
Der Spiegel, revista e përjavshme gjermane e lajmeve, raportoi se Rüdiger dhe organi gjerman i futbollit, DFB, kanë ndërmarrë veprime ligjore kundër ish-kryeredaktorit të gazetës Bild.
Rüdiger, 31-vjeçar mysliman, postoi një fotografi në Instagram ku shfaqet me një rrobë të bardhë mbi një sexhade, me gishtin tregues të djathtë drejt qiellit teksa u uronte myslimanëve Ramazan të bekuar.
"Ramazan Mubarak për të gjithë myslimanët në mbarë botën. I Plotfuqishmi na e pranoftë agjërimin dhe lutjet tona", shkroi ai në postimin e 11 marsit kur filloi muaji i Ramazanit.
Reichelt shkroi më 23 mars në X se qendërmbrojtësi gjerman "tregon përshëndetjen e islamistëve të ISIS-it (DEASh)", duke iu referuar postimit të Rüdigerit.
Ministria e Brendshme tha se gjesti i teuhidit i Rüdigerit, ose pohimi i njëshmërisë së Zotit, "duhet të kuptohet si çështje besimi dhe për këtë arsye mund të kategorizohet si joproblematik për sa i përket sigurisë publike".
"Kjo vlen pavarësisht nga fakti se grupet islamike po e përvetësojnë këtë simbol dhe po e keqpërdorin për qëllimet e tyre", shtoi ministria.
Rüdiger është një nga lojtarët më të njohur në Evropë. Ai më parë ka luajtur për Stuttgartin, Romën dhe Chelsean përpara se t’i bashkohej Real Madridit në vitin 2022.
Ai ka fituar Ligën e Kampionëve të UEFA-s dhe Ligën Europa me Chelsean.
Rüdiger ka regjistruar 67 paraqitje ndërkombëtare për Gjermaninë që nga viti 2014.