Kampioni i Kosovës, Ballkani, është eliminuar nga Liga e Kampionëve pasi ka pësuar disfatë të thellë prej 4-0 në ndeshjen kthyese ndaj kampionëve të Bullgarisë, Ludogoretsi.
Ndonëse skuadra nga Suhareka e Kosovës nën udhëheqjen e trajnerit Ilir Dajës e fitoi ndeshjen e parë në Prishtinë, ndeshja kthyese ishte fatale për ta.
Për kampionin e Kosovës ndeshja nisi shumë keq që në minutat e para kur Tekpetey realizoi për 1-0 pas vetëm katër minutave lojë, e po i njëjti lojtar e thelloi epërsinë duke shënuar për 2-0 në minutën e 45-të.
Me të njëjtin ritëm edhe në pjesën e dytë Ludogoretsi e vazhdoi dominimin dhe arrti të realizojë edhe dy gola të tjerë nëpërmjet Tisseras në minutën e 49’ dhe Vidal në të 78-tën.
Kujtojmë që me humbjen e Ballkanit edhe përfundimisht shuhet shpresa e fundit e skuadrave shqiptare për të kaluar më tutje në Ligën e Kampionëve, meqë Struga Trim Lum dhe Partizani nuk arritën t’ia dalin ndaj Zhalgirisit, gjegjësisht Bate Borisovit.
Tashmë, aventura e Ballkanit në Evropë do të zhvendoset në Ligën e Konferencës, ku në turin e dytë do të ndeshet me Larne, kampionët e Irlandës së Veriut.
Ndërkohë Struga Trim Lum në Ligën e Konferencës do të ballafaqohet me Buduçnostin e Malit të Zi, ndërsa Partizani me Atletik Klub D’Eskalades nga Andora.