Istanbuli do të jetë sonte epiqendra e etheve të futbollit evropian. Në qytetin ikonik turk luhet finalja e Ligës së Kampionëve, kompeticionit më prestigjioz në botë për klubet e futbollit.
Manchester City dhe Interi do të luajnë ndeshjen më të rëndësishme të stinorit në Stadiumin Olimpik Ataturk të Istanbulit.
Anglezët duan titullin e parë
Manchester City vjen në finale nga një stinor thuajse perfekt, duke dalë kampion në kampionat anglez dhe me FA kupën e fituar para disa ditëve.
Ekipi i udhëhequr nga trajneri Pep Guardiola kërkon titullin e parë në Ligën e Kampionëve dhe kompletimin e titujve të trefishtë në një stinor, për të parën herë në historinë e klubit.
Ndeshja e sotme është finalja e tyre e dytë në tri sezone, pas humbjes në 2021 ndaj rivalëve anglezë Chelsea në Porto të Portugalisë.
Skuadra e Guardiolës ka qenë në formë të jashtëzakonshme këtë sezon dhe do ta nisë ndeshjen si favorit i fortë.
City fitoi Grupin G dhe më pas mposhti RB Leipzig në raundin e 16-të, falë një fitoreje 7-0 në ndeshjen vendase, ku Erling Haaland shënoi pesë herë.
Më pas erdhi përballja me gjigantin gjerman Bayern Munich. Ndeshja e parë në Gjermani përfundoi me barazim pasi goli i Haaland u barazua nga një penallti e vonshme e Joshua Kimmich.
Në ndeshjen në shtëpi, City u kthye në stil dhe arriti një fitore të rehatshme 3-0.
Sfida e tyre më e madhe, të paktën në letër, ishte gjysmëfinalja kundër kampionëve në fuqi Real Madrid.
Gjërat dolën krejt ndryshe, sidoqoftë, pasi kampionët e Premierligës mposhtën Madridin me rezultat të përgjithshëm 5-1, duke fituar 4-0 në shtëpi pas barazimit 1-1 në Spanjë.
Interi kërkon mrekullinë për titullin e katërt
Skuadra italiane e Interit nga ana tjetër nuk shihej si një nga pretendentët për të arritur deri në finale në fillim të sezonit. Skuadra e Simone Inzaghit kaloi një grup të vështirë me dy gjigantët evropianë, Bayern Munich dhe Barcelona.
Megjithatë, Interi doli e dyta në grup, duke kaluar tutje në fazën e eliminimeve dhe duke lënë prapa Barcelonën.
Në fazën e ardhshme italianët mposhtën skuadrat portugeze Porto dhe Benfica në raundin e 16-të dhe çerekfinale, respektivisht.
Gjysmëfinalja e tyre ishte derbi i qytetit me rivalin kryesor, Milanin. Ata siguruan një vend në finale duke triumfuar 3-0 në dy ndeshjet.
Interi përfundoi i treti në Serie A këtë sezon, por fitoi Kupën e Italisë në maj dhe Super Kupën e Italisë në janar, ndërsa do të përpiqet të shtojë kurorën më të vlefshme të Evropës për të katërtën herë në vitrinën e trofeve.
Istanbuli mirëpret mysafirët
Në Istanbul të Türkiyes tashmë po arrijnë tifozë nga e gjithë bota për finalen e madhe. Parashikohet që të paktën 50 mijë tifozë të huaj të jenë të pranishëm në stadium, i cili do të jetë i stërmbushur me mbi 75 mijë tifozë.
Ndërsa prej ditësh në qytet po mbahet festivali i finales, me ngjarje argëtuese për mysafirët.
Parashikimet janë që finalja të sjellë një injeksion ekonomik prej 80 milionë eurosh për qytetin.