UEFA investon një miliard euro në zhvillimin e futbollit të femrave /             Foto: AP

Federata Evropiane e Futbollit (UEFA) ka prezantuar dje strategjinë e re të quajtur “E pandalshme”, përmes së cilës do të investojë një miliard euro në gjashtë vitet e ardhshme për zhvillimin e futbollit të femrave.

Objektivi është që deri në vitin 2030 të kemi 5.000 lojtarë profesionistë dhe gjashtë liga profesionale në Evropë.

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin, tha se strategjia e re gjashtëvjeçare do të vendosë themelet për zhbllokimin e potencialit të plotë të futbollit të femrave.

"Ndërsa hyjmë në këtë epokë të re emocionuese, ne duhet të vazhdojmë me të njëjtin pasion që na ka sjellë deri këtu. Angazhimi ynë për këtë kauzë mbetet i fortë si kurrë më parë. Misioni ynë është i thjeshtë – të ndihmojmë futbollin e femrave të zërë një vend të spikatur në Evropë”.

Drejtoresha ekzekutive e UEFA-s për futbollin e femrave, Nadine Kessler, tha se "futbolli evropian për femra nuk ka qenë kurrë në vend më të mirë".

“Ekipet kombëtare dhe klubet po bëjnë përparim të madh falë investimeve të mëdha, një sistemi të përmirësuar të konkurrencës, si dhe mundësive të shumta të reja për lojë profesionale. Futbolli është bërë një sport për masat, duke tërhequr një bazë tifozësh dhe partnerësh gjithnjë në rritje dhe të larmishme, të cilët kontribuojnë në mënyrë të pamohueshme në rritjen e tij", theksoi Kessler.

Fituesja e Topit të Artë në konkurrencën e femrave, Aitana Bonmati, si dhe lojtarë të tjerë tashmë kanë përkrahur projektin “E pandalshme” (“Unstoppable”), ndërsa promovimit i janë bashkuar edhe përfaqësueset e Bosnjë-Hercegovinës, Milena Nikoliq dhe Emina Ekiq.

Me mbështetjen dhe ndihmën e UEFA-s u zhvillua një strategji për zhvillimin e futbollit të femrave në Bosnjë e Hercegovinë me emrin "Koha jonë, Rendi ynë". Projekti është prezantuar zyrtarisht pak ditë më parë, gjatë përgatitjeve të kombëtares “A” të Bosnjës e Hercegovinës për femra për ndeshjet play-off për t'u kualifikuar në Kampionatin Evropian.

TRT Balkan / agjencitë