Ndeshja e mbrëmshme çerekfinale në kuadër të Ligës së Kampionëve për femra ndërmjet Bayernit të Mynihut dhe Arsenalit do të mbahet mend gjatë kohë për referen shqiptare të futbollit nga Gostivari i Maqedonisë së Veriut, Vjollca Izeiri.
Ajo ishte asistente e arbitres kryesore, Ivana Projkoska, po ashtu nga Maqedonia e Veriut, e cila me mjaft sukses ndau drejtësinë në këtë përballje ku ndau nga një karton të verdhë për dy skuadrat.
Për Izeirin kjo është një tjetër arritje e madhe, ndërsa delegimi për këtë ndeshje të këtij niveli flet për punën e shkëlqyeshme dhe përkushtimin e gostivarases që po bën në profesionin e saj si refere e futbollit.
Njëkohësisht ky fakt paraqet mirënjohje edhe për Federatën e Futbollit të Maqedonisë, për kujdesin që tregon për edukimin dhe avansimin e referëve.
Ndryshe ndeshja e zhvilluar në “Allianc Arena” para 20 mijë spektatorëve, e vlefshme për çerekfinalet e Ligës së Kampionëve, në fund u mbyll me fitore minimale 1:0 të skuadrës gjermane.
Ishte kjo vetëm ndeshja e parë mes këtyre dy skuadrave, derisa ndeshja e kthimit në program është me datë 29 mars në Londër.