Për shkak të reshjeve të shumta në Serbi nuk ndalet vërshimi i lumenjve dhe përrenjve, gjë që sjell probleme të mëdha me vërshimet. Për këtë arsye, zjarrfikësit dhe shërbimet e shpëtimit janë vazhdimisht në terren dhe është shpallur gjendje e jashtëzakonshme në 35 komuna anembanë Serbisë, raportojnë mediat lokale.
Në Kragujevc, reshjet e mëdha të shiut shkaktuan përmbytje të rrugëve dhe oborreve, si dhe të institucioneve publike.
Në Jagodinë lumi Belica ka arritur në nivel kritik, ndaj dy ura të qytetit janë të mbyllura për qarkullim.
Pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Departamenti për Situata Emergjente, pas reshjeve të dendura gjatë natës kanë evakuuar 75 persona nga zonat e përmbytura në pjesë të ndryshme të Serbisë.
Anëtarët e Departamentit për Situata Emergjente të MPB-së, përveç evakuimit, janë të angazhuar edhe në pastrimin e ujit.
Instituti Republikan Hidrometeorologjik i Serbisë ka dhënë paralajmërim për të premten për shkak të mundësisë së reshjeve intensive.
“Në Serbinë lindore, për shkak të shiut dhe bubullimave, sot është në fuqi alarmi i kuq i motit, që do të thotë se moti është shumë i rrezikshëm. Parashikohen fenomene moti veçanërisht të rrezikshme, të cilat janë të një intensiteti të tillë që mund të shkaktojnë dëme të mëdha materiale dhe të jenë shumë të rrezikshme për sigurinë e njerëzve dhe kafshëve. Në pjesë të tjera të vendit, me përjashtim të Baçkës, Banatit, Sremit dhe Serbisë perëndimore, janë aktivizuar alarmet e motit në ngjyrë portokalli dhe të verdhë për shkak të shiut dhe stuhive”, thuhet në paralajmërimin e Institutit Hidrometeorologjik.