Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, tha sot se absolutisht e përkrah kthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe se Qeveria e Serbisë është e gatshme që, nëse arrihet një marrëveshje politike dhe sociale, ta miratojë një projektligj shumë shpejt ta dërgojë atë në Kuvend për miratim.
“Qeveria është e gatshme të shkojë shumë shpejt me atë propozim në Kuvendin Kombëtar dhe ta fillojë në vitin 2025, kur të plotësohen kushtet logjistike dhe administrative. Unë si kryeministër dhe e gjithë Qeveria mbështesim fuqishëm atë që deklaroi Presidenti i Republikës, që është se po i afrohemi seriozisht miratimit të mundshëm të një akti ligjor për shfuqizimin e pezullimit të shërbimit ushtarak”, tha Vuçeviq për RTS-në.
Ai kujtoi se në muajin prill është bërë një elaborim me propozime për kthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe se Presidenti i Republikës (Aleksandër Vuçiq) ka dalë me idenë që kjo periudhë të mos jetë shumë e gjatë, 75, 60 ditë stërvitje plus 15 ditët e praktikë.
Vuçeviq është i mendimit se është mirë dhe e dobishme të rivendoset shërbimi i detyrueshëm ushtarak si për vetë të rinjtë, ashtu edhe për gjithë Serbinë.
“Nuk është përgatitje për luftëra dhe konflikte, por shqetësim për vendin. Vendi ynë nuk e shfuqizon përbërjen profesionale të Forcave të Armatosura, që është forca goditëse e Forcave të Armatosura të Serbisë”, shpjegoi Vuçeviq. Me kthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak kreu i Qeverisë së Serbisë tha se në këtë formë do t’i kthehej forca ushtrisë rezervë. Ndryshe, më 1 janar të vitit 2011 në Serbi u shfuqizua shërbimi i detyrueshëm ushtarak.