Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka takuar sot në Beograd kryetarin e Kuvendit të Madh Kombëtar të Republikës së Türkiyes, Mustafa Şentop, me të cilin ka biseduar për dinamikën e marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimin ekonomik, si dhe rëndësinë e të bashkëpunimit parlamentar.
“Bashkëbiseduesit ranë dakord se bashkëpunimi gjithëpërfshirës dhe dialogu intensiv politik tregojnë se marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Türkiyes janë në nivelin më të lartë në historinë moderne, që është rezultat i respektit dhe besimit të ndërsjellë, por edhe i marrëdhënies së jashtëzakonshme personale të dy presidentëve“, njoftoi zyra e Presidentit të Serbisë.
Vuçiqi tha se Serbia mbetet sinqerisht e përkushtuar për bashkëpunimin rajonal dhe shtoi se në këtë kuptim e konsideron Türkiyen një partner të rëndësishëm në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.
Duke folur për bashkëpunimin ekonomik, Vuçiq tha se Serbia i vlerëson shumë investimet turke, veçanërisht ato që kanë ndihmuar në përparimin e pjesëve më pak të zhvilluara të vendit.
U vu re rritja e shkëmbimeve tregtare, për të cilat u vendosën synime ambicioze dhe në këtë kuptim u theksua rëndësia e intensifikimit të punës së Komitetit të Përbashkët për Bashkëpunim Ekonomik.
Vuçiq dhe Sentop ranë dakord se një shkëmbim edhe më intensiv i vizitave do të kontribuojë në realizimin më të shpejtë të marrëveshjeve ekzistuese, por edhe të projekteve të ardhshme.