Presidenti serb Aleksandar Vuçiq deklaroi sot se javën e ardhshme me shumë gjasa do të nënshkruajë një vendim që ndalon eksportin e mëtejshëm të municioneve, mjeteve dhe armëve nga Serbia, sepse interesi jetik kombëtar i Serbisë aktualisht është i kërcënuar "deri në shkallën e fundit" dhe shtoi se është e nevojshme që gjithçka të përgatitet "në rast agresioni ndaj Serbisë".
Gjatë adresimit të tij para opinionit, Vuçiq theksoi se kjo "nuk do të thotë se Serbia po përgatitet për ndonjë luftë" dhe shtoi se "Serbia ka bërë gjithçka që Bashkimi Evropian ka kërkuar prej saj për të depërshkallëzuar konfliktin në Kosovë".
"Serbia nuk po përgatitet për luftë, por Serbia është e gatshme të mbrojë popullin e saj dhe Serbia është e gatshme ta mbrojë vendin e saj nga të gjithë ata që potencialisht do të dëshironin të kërcënonin integritetin dhe sovranitetin e saj", tha Vuçiq.
Duke theksuar se shkalla e dhunës dhe e "persekutimit të heshtur" të serbëve në Kosovë rrit rrezikun e zhdukjes së tyre të plotë nga Kosova, Vuçiq tha se "Serbia beson se të gjithë anëtarët e Kombeve të Bashkuara janë të detyruara sipas ligjit ndërkombëtar të parandalojnë një përfundim kundërqytetërues".
Ai tha se autoritetet serbe do ta shqyrtojnë kërkesën e Listës Serbe dhe të popullit serb në Kosovë që "policia dhe strukturat e tjera të sigurisë të institucioneve të përkohshme në Prishtinë të shpallen organizata terroriste".
Vuçiq vlerësoi se Serbia ka përmbushur gjithçka që i është kërkuar për të depërshkallëzuar situatën në Kosovë, por se deeskalimi nuk po ndodh sepse nuk e dëshiron, siç tha ai, "regjimi në Prishtinë".
Ai ka theksuar se Serbia është në situatën më të vështirë, "jo për shkak të papërgjegjshmërisë së saj dhe jo për shkak të dëshirës së saj për të mos ruajtur stabilitetin dhe paqen", por për shkak të veprimeve të Prishtinës dhe për shkak të atyre që heshtin për këto veprime.
Vuçiq tha se serbët në Kosovë nuk kanë të drejtë të jetojnë "përderisa nuk janë betuar për besnikëri" ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Ai bëri të ditur se javën e ardhshme do të kërkojë takim urgjent me shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg, "kudo në glob" dhe se pas kësaj bisede Serbia do të kërkojë thirrjen e një seance urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, sepse Serbia dëshiron të veprojë në përputhje me Rezolutën 1244.
Vuçiq tha se në këtë seancë Serbia do t'i kërkojë KS-së së OKB-së që të urdhërojë KFOR-in të përmbushë detyrimet e përcaktuara me Rezolutën 1244 të KS-së së OKB-së dhe të pamundësojë menjëherë çdo veprim të sigurisë dhe strukturave të tjera nën kontrollin e Kosovës që kërcënon jetën, lirinë, sigurinë, dinjitetin njerëzor dhe mbijetesën e serbëve në Kosovë.
Ai shtoi se Serbia do t'i kërkojë KS-së së OKB-së që të çmilitarizojë të gjitha formacionet e armatosura shqiptare në përputhje me Rezolutën 1244 të KS-së së OKB-së dhe se sipas përgjigjeve në atë seancë, mund të ketë një pikë të tretë që Serbia do të kërkojë të diskutohet në OKB.
Vuçiq konstatoi se në çdo rast Serbia së paku duhet të marrë përgjigje nga KS-ja e OKB-së, kompetencë e kujt është mbrojtja e serbëve, është KFOR-i bazuar në autorizimin e Rezolutës 1244 të KS-së së OKB-së apo dikush tjetër.